Murati: Kosova e Serbia duhet të vendosin për vazhdimin e dialogut

Prishtinë | 26 Kor 2017 | 12:22 | Nga

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka komentuar lidhur me artikullin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka kërkuar dialog të brendshëm në Serbi lidhur me Kosovën.

Në një status në rrjetet sociale, Murati ka theksuar se kjo situatë po sjellë edhe njëherë domosdonë e një dialogu të brendshëm ndërshqiptar në Kosovë për dialogun me Serbinë dhe si rrjedhim krijimin e një platforme të përbashkët të dialogut.

Postimi i Muratit:

Vuçiqi, deri dje shërbëtor servil i nacional-shovinizmit serb, për shkak të interesave afatgjata të Serbisë dhe nevojës për integrime në BE, po përgatit terrenin për të filluar një dialog të brendshëm në Serbi në mënyrë që të gjejë një konsensus shoqëror, që do t’i mundësonte heqjen pa telashe të mëdha të Kosovës nga Kushtetua e Serbisë dhe kështu t’i hiqet Serbisë një gur që po i qëndron në qafë në rrugën drejt BE-së.

Me këtë qasje, Vuçiqi po përpiqet të shpërfaqet si një aleat i besueshëm i BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan. Nuk po dua të hyj në sinqeritetin e tij, e as në faktin se edhe në ato që tha dhe shkroi këto ditë nuk e bëri hapin cilësor të shkëputjes nga nacional-shovinizmi serb, sepse nuk mund të pritet nga një kalibër i tillë politikani të jetë pasues i rrugës së social-demokratëve serb si Tucoviqi e Novakoviqi. Për ne është me interes të identifikojmë në thelb çfarë ndikimi mund të ketë kjo për dialogun Kosovë-Serbi .

Në çfarë faze mund të futen bisedimet dhe si mund të përfundojnë ato? A ka gjasa me këtë qasje të deritanishme si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë të ketë ndonjë zgjidhje të qëndrueshme? A mund të krijohet në këtë kontekst ndonjë situatë e re kur problemet në mes të dy vendeve dhe popujve të shtrohen seriozisht për zgjidhje?

Sipas mendimit tim, asgjë serioze nuk mund të ndodh, pa u ulur edhe ne dhe të bisedojmë ne mes vete. Kjo situatë po sjell para nesh edhe njëherë domosdonë e një dialogu të brendshëm ndërshqiptar në Kosovë për dialogun me Serbinë dhe si rrjedhim krijimin e një platforme të përbashkët të dialogut. Serbisë dialogu i brendshëm për raportet me Kosovën po i nevojitet për të lehtësuar rrugën e saj drejt BE-së, dhe ajo me disa lëvizje kozmetike mund të dërgojë sinjale pozitive për bashkësinë ndërkombëtare por njëkohësisht mund të vazhdojë të destabilizojë Kosovën duke shfrytëzuar kushtetutën e saj dhe fuqinë e madhe juridike që ajo i jep pakicës serbe.

Ne na duhet dialogu i brendshëm për të ndërtuar platformën e bisedimeve e cila do të ndihmonte për të përfunduar procesin e shtetësisë dhe krijimin e kushteve për një rregullim tjetër kushtetues të Kosovës. Ne na duhet një dialog krejtësisht politik me Serbinë për çështjet e mbetura në mes të dy vendeve e jo humbje kohe me dialog teknik, nga i cili mund të ketë rezultate të vogla, por nga i cili mund të mos dilet asnjëherë dhe kështu jo vetëm dëmtohet stabiliteti i vendit, por edhe pamundësohet zgjidhja e problemeve qenësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia i kanë dy probleme kryesore, atë të tri komunave shqiptare në Kosovën Lindore dhe të tre komunave serbe në veriun e Kosovës. Ne mund edhe ta përmbyllim disi dialogun, mund edhe të lidhim traktat paqeje (pak e besueshme), por pa i zgjidhur këto dy çështje, të cilat për bazë do të duhej ta kishin parimin e reciprocitetit, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve e as stabilitet politik në Kosovë. Po, në një situatë të tillë vërtetë do të mund të kishte Serbi në BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme