Në Bruksel po riciklohet dialogu teknik, Asociacioni temë e pashmangshme

Prishtinë | 07 Kor 2021 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Opinionisti Bekim Çollaku, ka thënë se fatkeqësisht në Bruksel, po ndodhë një riciklim i bisedimeve teknike, për shkak të mosgatishmërisë së palëve për të arritur marrëveshje përfundimtare.

Çollaku për Klan Kosova komentoi deklaratat e djeshme të emisarit special Miroslav Lajçak, i cili tha se në dialog asgjë nuk është teknike përveç politike.

”Fatkeqësisht, në Bruksel po ndodhë një riciklim i bisedave teknike në mungesë të gatishmërisë politike të palëve për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse”.

Sipas tij Qeveria Kurti, nuk është e gatshme për negociata produktive, njofton klankoosva.tv.

”BE- ja primare e ka mirëmbajtjen e procesit dhe vazhdimësinë e tij. Në anën tjetër qeveria e Republikës së Kosovës nuk është e gatshme për negociata përmbajtësore dhe qëllim primar ka ruajtjen e status quo-s aktuale”.

Çollaku thotë se temat që do të diskutohen do të jenë po ato të njëjtat.

”Kjo nënkupton që edhe diskutimi për asociacionin është një temë e pashmangshme gjatë këtij raundi të negociatave në Bruksel. Nuk jam optimist se do të ketë ndonjë progres substancial në ndonjë çështje të caktuar në këtë fazë të dialogut”.

Madje ai potencon për klankosova.tv se mundësia e arritjes së marrëveshjes përfundimtare e cila duhet të ketë si pikë të parë njohjen reciproke, në këtë fazë duket tepër e largët.

Kosova dhe Serbia pritet që sot të nisin raundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut mes të dy shteteve.

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, mbahen në nivel kryenegociatorësh, ka thënë për klankosova.tv, zëdhënësi i lartë për Punë të Jashtme, Politikë dhe Siguri në Bashkimin Europian, Peter Stano.

Delegacioni i Prishtinës do të drejtohet nga Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ndërsa Beogradin do ta përfaqësojë Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.

Të ngjashme