Nikoqiri i Asamblesë së INTERPOL-it ua refuzoi vizat zyrtarëve kosovarë

Prishtinë | 21 Sht 2017 | 22:41 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) ka treguar pse Kosova ka vendosur të shtyjë kandidimin e Kosovës për pranim në Interpol, në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it që mbahet nga 26 shtator deri më 29 shtator në Pekin të Kinës.

“Vendi nikoqir i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, ka shfaqur hezitime për të lejuar pjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në këtë Asamble dhe anëtarët e delegacionit tonë nuk kanë qenë në gjendje, që të pajisen me viza. Me këtë, nuk ishin krijuar kushtet, që të ndodh një votim për Kosovën pa prezencën e delegacionit tonë”, bëhet e ditur në një komunikat të MPJ-së.

MPJ thotë se ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në INTERPOL. Në funksion të këtij qëllimi të përbashkët dhe në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, kemi qenë të angazhuar dhe përkushtuar me përgjegjësinë më të lartë dhe profesionalizmin më të madh, që Kosova sa më parë ta ketë vendin e saj të merituar në këtë Organizatë të rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare, por, edhe atë të vendeve fqinje dhe të rajonit.

“Megjithëkëtë, pas vlerësimit dhe analizimit të hollësishëm të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në INTERPOL dhe dinamikave të brendshme brenda kësaj Organizate, kemi vlerësuar se është në interesin tonë më të mirë që të shtyhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL për vitin e ardhshëm”.

“INTERPOL-i është duke kaluar nëpërmjet ri-shikimit të procedurave dhe kritereve të anëtarësimit, andaj kemi vlerësuar, në koordinim me vendet e Kuintit, në veçanti me ShBA-të dhe Gjermaninë, që duhet sqaruar këto kritere para se të votohet aplikacioni i Kosovës. Ky sesion i Asamblesë së Përgjithshme pritet të ketë në fokus kryesor reformën e brendshme”.

Ministria e Jashtme falënderon të gjithë të involvuarit nga institucionet e Kosovës, por, njëkohësisht edhe të gjithë shtetet partnere të shtetit tonë, posaçërisht vendet e Kuintit dhe njëkohësisht i fton të gjithë, që në takimin e radhës të punojmë së bashku, që Kosova të votohet anëtare me të drejta të plota në Interpolit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme