Njohësit e integrimeve evropiane e shohin si shpresë për Kosovën, Presidencën gjermane të BE-së

Prishtinë | 01 Kor 2020 | 20:03 | Nga Ekonomia Online

Gjermania sot merr kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian. Qytetarët e Kosovës po shpresojnë që shteti Gjerman mund të ndikojë pozitivisht në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Gjermania do të jetë kryesuese e Këshillit të Bashkimit Evropian. Për Kosovën, ky po shihet si moment kthese sa i përket liberalizimit të vizave.

Por, me gjithë entuziazmin, njohësi i integrimeve evropiane, Besnik Vasolli, thotë se duhet përmbajtur nga premtimet drejtuar qytetarëve, sepse për momentin, siç thotë ai, nuk ka diçka konkrete dhe të sigurt.

“Ne duhet të kemi kujdes që të mos i rritim pritjet e qytetarëve duke iu thënë që ka gjasa që procesi i liberalizimit të vizave do të kryhet sivjet. Nuk ka asgjë me shkrim konkrete përveç iniciativës së zonjës von Cramon, por nuk përjashtohet që Gjermania do ta shtyjë këtë agjendë përpara… Kosova duhet t’i zbatojë kriteret ashtu siç e ka të përcaktuar me udhërrëfyes pavarësisht se në raportin e korrikut thuhet se Kosova ka përmbushur kriteret, por këto kritere duhet të zbatohen në vazhdimësi”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Besnik Vasolli

Ndërsa Demush Shasha, nga Instituti Epik, sheh gjasa reale që gjatë presidencës gjermane, edhe qytetarët e Kosovës t’i gëzohen heqjes së vizave.

“Ekzistojnë gjasat reale për liberalizimin e vizave gjatë presidencës së Gjermanisë për dy arsye: E para se Gjermania është deklaruar në favor të liberalizimit të vizave dhe e dyta sepse Gjermania do të merr kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian. Gjermania si vendi më i madh i BE-së do të ketë fuqi të jashtëzakonshme për të ndikuar në përshpejtimin e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian”, deklaroi Demush Shasha.

Komisioni dhe Parlamenti Evropian, kanë dhënë dritën e gjelbër sa i përket liberalizimit të vizave, tani i ka mbetur Këshillit te votoj propozimin, me shumicë te kualifikuar 55% te vendeve te BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë.

Të ngjashme