Nushi: Kur je me VV-në je i mirë, kur nuk je me ta shkarkohesh

Prishtinë | 03 Mar 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi ka reaguar pas kërkesës së ministrit të jashtëm, Glauk Konjufca për shkarkimin e 7 ambasadorëve të Kosovës në vende të ndryshme të botës.

Nushi nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se Konjufca ka bërë një hipokrizi të gërditshme me kërkesën për të shkarkuar Vlora Çitakun dhe të emëroj Sabri Kiçmarin e Ilir Kërçelin si ambasadorë.

Nushi ia ka kujtuar Vetëvendosjes kohën kur Vetëvendosje ka shpërndarë fjalimin e Vlora Çitakut kur ka folur për burgosjen e kryeministrit Kurti.

“Për diskursin populist të VV-së, kur je më ta je i mirë, por kur nuk je me ta shkarkohesh”, ka shkruar Nushi.

Ky është postimi i tij i plotë:

Kur je me mua je i mirë, kur nuk je shkarkohesh.

Me një foto kinse spontane, Ministri i Jashtëm Konjufca na i prezantoi “shkarkimet” e ambasadorëve të Kosovës në 7 shtete. Në krye të listës së 7 të shkarkuarve, ishte ambasadorja e Kosovës në New York znj. Vlora Çitaku.

Mund të kemi mospajtime të shumta me Vlora Çitakun si politikane, por si ambasadore nuk di të ketë pasur vërejtje. Bile, rishtazi, janë po Vetëvendosje që e shpërndanin fjalimin kur Vlora, në mbledhje të Këshillit të Sigurimit, i tregonte Ivica Dacicit për burgosjen e Albinit nga Serbia.

Në këtë foton qesharake të Konjufcës, shihen 3 nga këshilltarët e tij. Dy prej tyre kanë pasur lidhje me PDK-në. Sabri Kiçmari si anëtar i PDK ka qenë ambasador për vite të tëra në kohën kur kjo parti ka qenë në pushtet, bile edhe dekretimin e ka marrë nga Presidenti Thaçi, poashtu Ilir Kërçeli shihet të ketë kaluar kohë miqësore me Hashim Thaçin në kohën kur VV ishte në luftë të hapur me të.

Të emërosh Sabri Kiçmarin e Ilir Kërçelin, e të shkarkosh Vlorën është hipokrizi e gërditshme.

Për diskursin populist të VV-së, kur je më ta je i mirë, por kur nuk je me ta shkarkohesh.

Të ngjashme