Opozita kundër buxhetit, kërkon largimin e Qeverisë

Prishtinë | 06 Dhj 2018 | 14:11 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar rreth buxhetit për vitin 2019-të.

Për dallim nga pozita e cila po e mbështet këtë buxhet, deputetët opozitar janë shprehur kundër.

Deputeti Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje,  tha se kjo parti nuk do ta mbështes buxhetin për vitin 2019-të. Ai kërkoi që sa më shpejtë të largohet kjo qeveri për të mirën e vendit e Kosovës.

“Buxheti i vitit 2019 është buxhet i shpenzimit qeveritar dhe jo i zhvillimit socio-ekonomik, buxhet i shtimit të borxhit publik që do ta gërryej fondin e privatizimit. Numrat e buxhetit janë problem sepse korniza makroekonomike dhe makrofiskale është e gabueshme. Ekonomia në vend të rritjes së stabilitetit po e ndjek rrugën e kundërt duke u mbështetur në importe në krahasim me eksport të vendit”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

“Tek komunat kemi rritje 40% për mallra, shërbime që nuk ka logjikë sepse nuk ka asnjë rritje çmimi për produktet që konsumojnë komunat. Kemi një kryeministër që me dialog nuk merret ia ka lënë presidentit, me buxhetin nuk merret ia ka lënë ministrit Hamza, thotë se po merret me ushtrinë, por nuk do të ketë buxhet shtesë as për FSK-në e me çka merret kryeministri”, tha ai.

Kurti tha se vetëm zyra e kryeministrit ka më shumë buxhet se sa vetë disa institucione tjera shtetërore.

“Zyra e kryeministrit ka më shumë buxhet se sa shërbimi korrektues i Kosovës”, tha ai.

Dardan Sejdiu nga PSD-ja tha se Kosova ka 2.6 miliardë euro importe, e kjo sipas tij është në disbalancim me atë të eksportit.

Sejdiu tha se 20% e buxhetit shkon vetëm për ministrinë e MPMS-së, por kjo ministri nuk po e kryen punën e saj për të cilën ka kompetenca. Sipas Sejdiut kjo ministri nuk ka hapur vende pune dhe as nuk po ndihmon në mirëqenien sociale.

“456 milionë euro apo 20% e buxhetit shkon vetëm për ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por kjo ministri e ka një agronom tepër atë të punës, por as me mirëqenie nuk merret”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se me këtë buxheti ekonomia përfundon sot. Ai tha se arsimi ka pasur buxhet dhe me këtë numër të buxhetit nuk mund të ketë arsim cilësor.

“3.2% e buxhetit shkon për arsim, për 30% e popullatës e cila është në arsim”, tha ai.

Të ngjashme