Osmani në Turqi me ftesë të Erdoğanit, fotografohet me një dron në dorë

Prishtinë | 26 Shk 2022 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka nisur vizitën zyrtare në Turqi.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me odat ekonomike, prodhues industrial, përfaqësues biznesesh si dhe me komunitetin shqiptar të Turqisë. Në këto takime ajo shoqërohet nga një delegacion i bizneseve kosovare për t’i parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit me bizneset turke.

Ndërkaq në vazhdimin e vizitës, në Ankara, Presidentja Osmani do të takohet me homologun e saj, presidentin Erdoğan, në të cilin përveç diskutimit për marrëdhëniet aktuale, do të shihen edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit. Përveç me presidentin Erdogan, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit turk, Mustafa Şentop si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit turk.

Në Stamboll, Osmani ka qëndruar për një vizitë në kompaninë turke “Baykar”, e cila njihet si kompani e specializuar për prodhimin e dronëve pa pilot të quajtur “UAVs”.

Njoftimin për vizitën e ka bërë vetë faqja e “Baykar” në Facebook, me ç’rast ka postuar dhe një fotografi ku shihet Osmani tekst mban një dron të vogël në dorë.

Kompania “Baykar” prodhon edhe llojet më të avancuara të dronëve.

Pikërishti prodhimi turk, TB2 Bayraktars, i cili është mjet ajror taktik pa pilot po përdoret nga ushtria e Ukrainës përballë ushtrisë së përparuar ruse.

Droni TB2 Bayraktars mund të mbajë raketa anti-tank dhe mund të fluturojë deri në 138 milje në orë.

Të ngjashme