Pacolli e pranon se e dinte më herët që serbët nuk e votojnë demarkacionin

Prishtinë | 01 Mar 2018 | 15:45 | Nga

Zgjedhjet në Serbi që do të mbahen së shpejti kanë bërë që të mos u konvenojë Listës Serbe të votojë për një marrëveshje që konfirmonte kufijtë shtetëror të Kosovës, pasi kishte rrezik që kjo të ndikonte në suksesin e partisë së presidentit Aleksandar Vucic.

Kështu, Lista Serbe mbajti qëndrime kundër, e madje i konvenonte edhe një shtyerje e seancës së djeshme, për të evituar problemet me elektoratin serb, e të cilën gjë arriti ta bënte me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli.

Për këtë marrëveshje mes serbëve dhe Behgjet Pacollit raportoi ekskluzivisht Gazeta Metro, duke treguar se arsye e mosvotimit të demarkacionit këtë javë është kjo marrëveshje.

Por Pacolli duket se po ndihet i prekur nga këto raportime, pasi ka zgjedhur t’i quajë të ulët, ndonëse vetë e pranon se kishte informacion të mëhershëm që Lista Serbe nuk do ta votonte demarkacionin, e që ishte konfirmim se kjo gjë ishte biseduar qysh më herët.

“Derisa unë po qëndroj në Japoni, po lexoj disa tituj se gjoja unë në marrëveshje me serbët paskam sabotuar votimin e marrëveshjes së demarkacionit! Sa e ulët është kjo!!!! Dikush po genjen qëllimkeqshëm. E vërteta është se unë thjesht kam treguar për informatën (qe serbët, të merkurën nuk do të votojnë), në menyrë realiste, pa folklorizem”, shkruan sot Pacolli.

Ndërkohë, siç raportoi Metro e më pas konfirmuan mediat e tjera, e që tani në një mënyrë po e pranon edhe Pacolli, kishte qenë ky i fundit që kishte biseduar me serbët dhe u kishte garantuar shtyerje një javore pa konsultimin e askujt në Kosovë.

Siç edhe u pa dje në seancë, Lista Serbe as që u duk tek ulëset e tyre, por vetëm shkuan në takim me liderët ku u bën të ditur se në këtë seancë nuk do të votojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme