Palokaj: Dëbimi i shtetasve turq dhe taksa, ndikuan në liberalizim

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 15:12 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrime Evropiane, në bashkëpunim me Projektin e GIZ-it “Mbështetje për Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë”, ka mbajtur takim lidhur me zgjedhjet e fundit në Parlamentin Evropian, raporton EkonomiaOnline.

Gazetari Augustin Palokaj, i cili raporton mbi ngjarjet e Brukselit, i ka këshilluar deputetët kosovarë se si të krijojnë raporte me udhëheqësin e re evropiane.

Tha se dalja e Britanisë nga BE-ja ka komplikuar shumë gjëra.

“Ndikimi i Brexit-it, dalja e Britanisë ka komplikuar shumë gjëra. Është dëshmuar, është e vështirë të hysh në BE por britanikët po e dëshmojnë se është e vështirë edhe të dalësh”, tha ai.

Me përbërjen e re Parlamenti Evropian ka gjithsesjt 20 komisione parlamentare, ndërsa Palokaj tha se ai për politik të jashtme mbetet kryesori për Kosovën

“Parlamenti Evropian ka 20 komisione parlamentare. Për ne si Kosovë do mbetet komisioni kryesor komisioni për politikë të jashtme, do të ketë ndryshime në personel dhe si deputetë. Ju duhet të keni kujdes dhe të kontaktoni të rinjtë”, tha ai.

Ai tha se Parlamenti Evropian është i vetmi institucion ndërkombëtar që e trajton Kosovën si shtet. Kjo sepse sipas tij, votimi është demokratik, prandaj mbështetja për Kosovën ka ekzistuar.

Ai foli edhe për orientimet e partive politike kosovare. Tha se duhet të punojnë për të avancuar lidhjet me partitë simotra në Evropë.

“Lidhjet e partive kosovare me partitë simotra në Evropë do duhej të avanconin me shumë sepse ende janë të paqarta. Për tri parti dihet orientimi, psh LDK nuk ka dyshim që ka ndikim dhe lidhje të forta me partitë e djathta evropiane. AKR është pjesë e partive liberale. VV ka qenë me partitë socialiste dhe liberale por raportet e VV me socialistët kanë ndryshuar. PSD dhe Nisma më duket se kanë synim të majtë por nuk e di sa kanë arritur të angazhohen me grupet parlamentare evropiane”, tha ai.

Palokaj tha se shqetësim i Komisionit Evropian ka qenë dëbimi i shtetasve turq nga Kosova.

“Shqetësimi më i madh që ka rrezikuar të humb miqtë që ka Kosova në Parlamentin Evropian ka qenë shqetësimi për dëbimin e shtetasve turq. Kanë qenë të befasuar që një Kosovë për të cilën ata angazhohen të ndodhë që nga një Kosovë të pësojnë njerëz në mënyrë të tillë dhe aty ka pasur zhgënjim të madh me Kosovën dhe mund të ketë vazhdim të presionit për këtë”, tha ai.

Në pyetjen e deputetes Fatmire Kollcaku për liberalizimin e vizave, ai tha se dëbimi shtetasve turq dhe taksa kanë qenë pengesë në këtë proces.

Ndërsa tha se kjo çështje po tentohet të ndërlidhet me dialogun me Serbinë e që nuk duhet të ndodhë.

“Përvoja ime me BE është se duhet marrë me rezerva kur dikush garanton diçka.  Problemi me optimizmin e tepruar të politikanëve kosovarë për liberalizimin e vizave për mendimin tim ka qenë për dy arsye. E para kanë besuar në premtimin e personave që kanë pasur qëllime tjera. Qëllimi i premtimeve tyre ka qenë nxjerrja e konsensusit në dialog por zonja Mogherini as nuk merr pjesë në diskutimet për liberalizim për Kosovën”, tha ai.

“Ndoshta Franca nuk e jep mbështetjen për shkak të azil kërkuesve nga Shqipëria. Vitin e kaluar kanë kërkuar azil 10 mijë shqiptarë dhe azili nuk është krim por pastaj i del shumë punë administratës”, tha ai.

Palokaj tha se është e padrejtë ajo qe i bëhet Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave.

“Nuk besoj se shkaku kësaj here është i Kosovës. Gjermania e sheh shembull të mirë Kosovën për emigrimin e kontrolluar. Kanë përvojë të mirë edhe me azilkërkuesit e kthyer. Unë isha në takim në Finlandë dhe ajo Qeveri është shumë pro Kosovës.  Nuk mjafton vetëm një Gjermani pro por na duhet një Gjermani që i bën edhe shtetet e tjera sidomos Francën ta mbështesë këtë. Ka tendenca që të lidhet edhe me dialogun dhe kjo për mendimin tim është rrezik sepse duhet parë si proces të ndarë politik”, përfundoi ai.

Të ngjashme