Pas dënimit të Teodosijeviqit, Lista Serbe paralajmëron braktisjen e institucioneve

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Zveçanit ka vendosur ta mbështesë propozimin e Listës Serbe që të gjithë serbët t’i lëshojnë institucionet e Kosovës nëse Gjykata e Apelit vërteton dënimin prej 2 vjetësh burg për Ivan Teodosijeviqin, kryetar paralel i Zveçanit, për shkak të deklaratave të tij nxitëse lidhur me masakrën e Reçakut.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka siguruar serbët e veriut të Kosovës se të gjithë serbët në institucionet kosovare do të dorëhiqen nëse vërtetohet vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin me 2 vjet burg të Ivan Teodosijeviqit, kryetar paralel i Zveçanit, i cili derisa ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal kishte dhënë deklarata nxitëse lidhur me masakrën e Reçakut.

Ai kishte thënë se “masakra e Reçakut është një gënjeshtër e fabrikuar nga terroristët e UÇK-së”. “Për agresionin në vendin tonë nga forcat e NATO-s ka qenë e ashtuquajtur katastrofa humanitare në hapësirat e Kosovës, trillimi i Reçakut, e pikërisht ata terroristë ‘siptari’ (shqiptarët) janë ata që e kanë trilluar, ata kanë kryer krimet në Kosovë, për të cilat askush deri më sot nuk është përgjigjur. Ata kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë serbët e mirë dhe të vyeshëm në vende të punës. Veprat e tyre të përgjakshme i kanë vazhduar gjatë agresionit të NATO-s, por edhe pas ardhjes së të ashtuquajturave misione paqësore në Kosovë”, pati deklaruar Teodosijeviqi, në marsin e këtij viti në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, derisa në prillin e këtij viti ndaj tij janë iniciuar hetimet.

Kjo deklaratë e tij nga Gjykata Themelore e Prishtinës është cilësuar si nxitje e urrejtjes dhe për këtë arsye e ka dënuar Todosijeviqin me 2 vjet burg.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme