Pas pesë muajsh emërohet ministrja e Integrimeve Evropiane

Prishtinë | 15 Shk 2017 | 08:41 | Nga

Partneri në koalicion, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka emëruar të martën Mimoza Ahmetajn ministre të Integrimit Evropian, duke zëvendësuar pas më shumë se pesë muajsh ish-ministrin, Bekim Çollakun, i cili dha dorëheqje për t’iu bashkuar ekipit të presidentit Hashim Thaçi.

Ndërkohë, njohësit e proceseve integruese kanë vlerësuar se me lënien vakant të postit të këtij dikasteri për gjysmë viti, Kosova rrezikoi të përçojë mesazhe negative në raport me BE-në. Kurse, nga Ministria e Integrimit kanë thënë se gjasat për liberalizim nuk janë shuar, ndonëse kjo ministri ka vepruar pa ministër prej 9 shtatorit të vitit të shkuar.

Emërimin e Ahmetajt në pozitën e së parës së MIE-së e ka bërë publike vetë PDK-ja dje.

“Partia Demokratike e Kosovës ka emëruar znj. Mimoza Ahmetaj në pozitën e ministres së Integrimit Evropian”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PDK-ja.

Nga ana tjetër, Gëzim Dushi, zyrtar i lartë për komunikim dhe informim në Ministrinë e Integrimit, ka thënë se pavarësisht që Ministria ka funksionuar pa ministër, gjasat për liberalizim nuk janë zbehur, ndonëse nuk dihet se kur do të finalizohet ky proces.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme