PDK-ja e fton në interpelancë Kurtin: Shteti ka dështuar ta mbrojë 35-vjeçaren

Prishtinë | 01 Dhj 2022 | 14:35 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra dhe Rashit Qalaj në një konferencë për medie kanë njoftuar se Grupi Parlamentar i kësaj partie ka parashtruar sot kërkesë për interpelancë me kryeministrin dhe ministrat e sektorëve të rendit e drejtësisë, pas rasteve të fundit të vrasjes së grave nga bashkëshortët e tyre, raporton Ekonomia Online.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra theksoi se institucionet po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar siguri juridike për qytetarët, sidomos për gratë dhe vajzat.

“Këto duhet të jenë rastet e fundit dhe ky duhet të jetë alarmi i fundit për shtetin dhe për shoqërinë tonë. Si Grupi më i madh Parlamentar opozitar ne nuk kemi mundur që të qëndrojmë duarkryq dhe të jemi indiferent karshi përballjes me një gjendje të viktimave pothuajse të përjavshme. Prandaj Partia Demokratike Kosovës në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për gratë dhe vajzat e këtij vendi”, tha ajo.

Deliu-Kodra tha se krimet e fundit ndaj grave duhet të jenë alarmi i fundit për shtetin dhe institucionet.

“Vrasjet dhe krimet e tjera si sulmet seksuale, dhunimet e ngacmimet janë jo vetëm fenomene në rritje, por edhe ngjarje të jashtëzakonshme e tronditëse, të cilat duhet të përbëjnë alarm serioz për shoqërinë, institucionet dhe mbarë vendin”, tha ajo.

Deputeti Rashit Qalaj shprehu shqetësim për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë.

“Në emër të PDK-së i shpreh ngushëllime familjes Magashi dhe të shprehim indinjatën më të thellë për këtë situatë të sigurisë të krijuar këto ditë dhe të shprehim shqetësimin tonë të skajshëm për mosefikasitetin e institucioneve të sigurisë, në këtë rast të Policisë së Kosovës me rastin e fundit, ku viktima është dashur të mbrohet nga institucionet e Kosovës, me qenë se ka pasur një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore kompetente”, tha ai.

Qalaj përsëriti thirrjen e PDK-së për forcimin institucioneve të sigurisë dhe mosndërhyrjen e pushtetit në punën e Policisë së Kosovës.

“Kjo bëhet kur Policisë së Kosovës nuk i ndërhyhet në aspektin operacional, kur institucionet e shtetit nuk udhëhqen nga ushtrues detyre, kur drejtuesve të këtyre institucioneve dhe punëtorëve të tyre nuk u zvogëlohen pagat, kur punëtorëve të tyre u përmirësohen kushtet e punës. Ata nuk kanë asnjë mbështetje nga insttucionet përkatëse. Ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që PK të ketë drejtorin e saj”, u shpreh ai.

Të ngjashme