Për dy vjet kryeministër, Haradinaj shpenzoi 7 milionë euro për stafin e tij

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Rreth dy muaj kohë i janë dashur Zyrës së Kryeministrit që t’i përmbledhë shpenzimet e kabinetit të kryeministrit dhe stafit civil që nga koha e ardhjes së Ramush Haradinajt në pushtet. Gazeta Express ka siguruar të dhënat për këto shpenzime përmes kërkesës për qasje në dokumente publike tek pas 10 javësh, meqenëse, sipas ZKM’së, kërkesa ishte shumë “voluminoze”. Në bazë të dokumenteve të siguruara, vlera e shpenzimeve për këto dy vite shkon në rreth 7 milionë euro, derisa më së shumti para janë harxhuar për paga, udhëtime zyrtare dhe dieta.

Një ndër vendimet e para që e kishte marrë sapo kishte ardhur në krye të ekzekutivit ishte dyfishimi i pagës së tij. Ramush Haradinaj e rriti pagën e tij për rreth 1 mijë e 500 euro.

Me vendimin e tij përfituan edhe ministrat dhe kabineti i tij, por në të njëjtën kohë u rëndua buxheti i shtetit. E ndonëse paga i qarkulloi për çdo muaj me rritje sa ishte Shef i Qeverisë, pas dorëheqjes deklaroi se i kishte rënë pishman për këtë vendim.

Madje, kishte thënë se nuk kishte njohuri as se si rritet paga.

“Kam bërë gabim. Kam bërë një lëshim procedural realisht, se nuk e kam ditur as si rritet paga”, kishte deklaruar Haradinaj.

Por, pendimi i tij nuk bëri punë. Vetëm për pagat e stafit të Zyrës së Kryeministrit, shteti harxhoi rreth 5 milionë euro për dy vite, pa llogaritur këtu shpenzimet e tjera.

Të ngjashme