Përfaqësimi i Kosovës me ministre në darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor, si e shohin njohësit e politikës?

Prishtinë | 11 Maj 2022 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Sot, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, do të mbahet një darkë joformale, ku do të marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe nga shtetet tjera që do të përfaqësohen nga liderët e tyre, kryeministrat dhe presidentët, Kosova në anën tjetër, do të përfaqësohet nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, shkruan lajmi.net.

Rreth kësaj, lajmi.net ka kontaktuar njohës të politikës, nga të cilët ka marrë mendimet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Avni Mazreku, njohës i politikave të jashtme, ka thënë se sa i përket këtij aktiviteti dhe përfaqësimit të Kosovës, është çështje e protokollit të shtetit. Ai ka shtuar se, liderët e Kosovës, kanë vendosur që agjenda e tyre aktuale është me e rëndësishme se sa darka joformale me liderët vendeve të rajonit.

“Sa i përket nivelit të përfaqësimit të Kosovës, sa i përket këtij aktiviteti të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, e cila është deklaruar si darkë joformale me vendet e Ballkanit Perëndimor, për këtë çështje, mendoj se është çështje e protokollit të shtetit për nivelet e përfaqësimit. Përderisa dy liderët kryesor institucionale të shtetit, do me thënë zonja presidente dhe zoti kryeministër, kanë një agjendë tjetër ata kanë vlerësuar dhe protokolli i tyre ka vlerësuar që agjendat e tyre të cilën ata aktualisht janë duke e implementuar, është më e rëndësishme se sa darka jo formale e organizuar nga zoti Borell. Ky është një dimension që në fakt unë e kisha dhënë pikëpamjen time në lidhje me ketë nivel të përfaqësimit të Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, ai tha se BE-ja në raport me Kosovën është dy dimensionale, kjo për arsye se, sipas Mazrekut, BE-ja ka neglizhuar në vazhdimësi dy çështje që lidhen me Kosovën, e që janë, liberalizimi i vizave dhe mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.

“Ndërsa çështja tjetër ose dimensioni tjetër që unë e kisha parë, është neglizhenca të cilën Bashkimi Evropian e bënë për me ju ofruar zgjidhje evropiane, problemeve evropiane siç është Ballkani Perëndimor, ka impakte dhe ndikime në nivelin e përfaqësimit të shtetit. Dihet që BE e ka neglizhuar në pafundësi në dy çështje kritike, Kosovën. Këto çështje janë, mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së. E dyta është çështja në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Sjellja e Bashkimit Evropian, përkatësisht e disa vendeve anëtare të BE-së në raport me Kosovën është dy dimensionale. Pra nuk trajtohet Kosova ashtu siç do të duhej të trajtohej si shtet që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, shtoi njohësi i politikave të jashme.

Ai përfundoi duke thënë se, kjo çështje është e protokollit shtetëror dhe se përfaqësimi i Kosovës nga ministrja është, sipas tij, një kundërpërgjigje ndaj BE-së.

“Me konklodu këtë pikëpamje, pra është çështje e protokollit shtetëror se si ata e shohin dhe vendosin. Ndërsa niveli i përfaqësimit të Kosovës është një kundërpërgjigje për qasjen e Bashkimit të Evropian në raport me ambicien e Kosovës për anëtarësimin në BE”, përfundoi Mazreku.

Për lajmi.net, rreth së njëjtës çështje, është prononcuar edhe Shkodran Ramadani.

Ramadani tha se, nga kjo darkë shihet që Ballkani i Hapur, nuk është një ide vetëm e liderëve rajonal, por një ide që mbështetët nga qendrat më të rëndësishme politike.

“Po shohim që Ballkani i Hapur nuk është një projekt i cili shtyhet vetëm prej liderëve rajonal por është një projekt i cili ka mbështetjen i cili është ideuar, planifikuar në qendrat më të rëndësishme diplomatike siç është Washtington edhe Brukseli. Kurti është duke u përballur me një dilemë ku duhet ta bëjë një zgjidhje kreative mes pjesëmarrjes edhe jo pjesëmarrjes, për këtë arsye e ka zgjedh ta dërgojë Ministren e Jashtme në takim”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se, megjithatë, ky është një hap që i paraprinë pjesëmarrjes së Kurtit në takimet e radhës dhe se ajo çfarë mbetët të shihet është mënyra se si Kosova do të marrë pjesë.

“Por ky është një hap që i paraprinë pjesëmarrjes së Kurtit në takimet e radhës. Pra është një takim i cili e bën pothuajse të pashmangshme pjesëmarrjen e Kosovës në këtë plan. Çka mbetet të definohet në vazhdim është mënyra se si Kosova do të marrë pjesë, se çka do të kërkojë se çka do të kushtëzojë, cila do të jetë forma e pjesëmarrjes së saj. Pra kjo besoj që është porosia e kësaj ngjarje, këtyre ditëve”, përfundoi Ramadani.

Kujtojmë se tradita e mbajtjes së një darke të tillë joformale ishte nisur nga paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, e cila takonte liderët e Ballkanit çdo vit në darkë joformale, për të diskutuar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat përballej ky rajon.

Në këtë darkë, përveç Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Të ngjashme