Platforma i dorëzohet Veselit, ai garanton se nuk preket sovraniteti

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 11:37 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ekipi negociator i ka dorëzuar kryeparlamentarit Kadri Veseli platformën për dialogun me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Veseli tha se platforma garanton se nuk prekte sovraniteti i vendit dhe se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti i hapjes së rrugës që Kosova pas Maqedonisë Veriore të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO, liberalizimit të vizave dhe rrugëtimit të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit të plotë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian”.

“Sot, Delegacioni Shtetëror ka dorëzuar Platformën për Dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Kjo është baza që do t’i propozohet Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë e cila nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë të shtetit të pavarur dhe sovran dhe në të njëjtën kohë garanton që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, pushtet të tretë apo Republika Srpska në republikën e Kosovës”.

“Po ashtu garanton përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, reciprocitet për vëllezërit tanë që t’i rrugën të drejtat shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë”.

Veseli ka thënë se platformën do ta shqyrtojë në afatin sa më të shpejtë, në mënyrë transparente dhe duke respektuar të gjitha procedurat.

Madje ai ka garantuar se fjalën e fundit për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë do ta kenë qytetarët përmes referendumit.

“Ajo që dua të përçoj si mesazh te qytetarët e Kosovës. Ne do të miratojmë këtë Platformë ndërsa vendimmarrjen në fund të marrëveshjes përfundimtare do ta keni ju vetë – me referendumin që do ta kemi në Republikën e Kosovës që i hap perspektivë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”.

Kreu i Kuvendit ka ftuar sërish opozitën që te jetë pjesë e këtij Delegacioni.

“Thërras pjesën e opozitës që nuk iu ka bashkangjitur përgjegjësive kombëtare, kushtetuese dhe qytetare që të kenë bashkëpjesëmarrje në procesin e dialogut historik që e bën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran edhe si anëtare të OKB-së”.

Veseli shtoi se Kosova është për dialog, por nuk do të lejojnë asnjë manipulim nga ana e Serbisë.

“Nuk e kemi ndërmend të lëvizim me asnjë qëndrim, asnjë vendim që nuk është në interes tonin, ju do vendosni me referendum, do bëjmë më të mirën për identitetin e kombit tonë dhe rrugën e kemi të qartë nuk do lejojmë që Serbia të përfitoj nga Kosova bash asgjë, as Asociacionin, as territorin, kemi me luftu politikisht dhe për identitetin tonë që shqiptarët tanë të respektohen në Serbi dhe që reciprociteti të jetë masë, ne jemi për dialog e marrëveshje, por nëse manipulohet do jetë reciprociteti i veprimeve dhe Serbia do ta ndjej shtetin e Kosovës të pavarur”, tha Veseli, raporton EO.

Në platformë thuhet se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm. Kjo Platformë përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.

Përmes saj synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.

Ndryshe, në këtë draft-dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.

Më tej thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi. “Përvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar në zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, thuhet më tej.

Parimet e platformës janë:

Parimi 1, thekson se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme:

(a)të ndërpresë të gjitha aktivitetet që pengojnë Republikën e Kosovës në rrugën drejt njohjes ndёrkombёtare si shtet i pavarur dhe sovran;

(b)të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës;

(c) të heqë dorё nga kundërshtimi, ose ndikimi mbi palët e treta që të kundërshtojnë, çfarëdo aplikimi nga Republika e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në, dhe agjencitë e tyre; dhe

(d) të heq dorё nga të gjitha format e ndërhyrjes në çështjet e brendshme apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovёs beson se kjo ёshtё e vetmja mënyrë efektive për të nxitur bashkëpunimin midis dy shteteve, për të arritur progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, siç edhe parashihet nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të datёs 9 shtator 2010.

Në parimin 2 përmendet qartë se nuk ka marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka. Siç ёshtё theksuar nё Parimin 1, njohja e ndërsjellë duhet tё jetё rezultati primar, shkruan Telegrafi.

Parimi 3 sipas kësaj platforme thuhet se: Kushtetuta e Kosovёs e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisaarit nuk është e hapur për negocim. Ky Plan shënoi pёrmbylljen e njё procesi tё negociatave tё autorizuara nga Kombet e Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës dhe mori përkrahjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare si zgjidhja përfundimtare. Plani shpreh në mënyrë eksplicite atë që kërkohej nga të dyja palët për arritjen e një zgjidhjeje të drejtë, duke imponuar një sërë koncesionesh mbi Republikën e Kosovës pёr ofrimin e garancive për të drejtat e komuniteteve në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kosova i ka zbatuar me përkushtim tё gjitha dispozitat e Planit të Ahtisaarit.

Parimi 4: Objektivat politike të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut synojnë zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Republikën e Serbisë, duke përfshirë:

(a) heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mosintervenimit dhe mos-ndërhyrjes;

(b) avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet tё plotё me komunitetin serb në Republikën e Kosovës;

(c) promovimin e respektimit nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente; dhe

(d) krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, si dhe reparacionin.

Parimi 5: Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetё e qartё dhe pa dykuptimёsi. Pёrvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar nё zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Kjo praktikë mund të rezultojë me stagnim dhe mosmarrëveshje eventuale. Dialogu duhet të vazhdoj derisa të dyja palët të ndajnë një kuptim dhe interpretim të përbashkët të asaj se çfarë është rënë dakord.

Parimi 6: Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (Neni 2(2)). Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare.

Parimi 7: Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë një nivel tjetër të qeverisjes përveç nivelit lokal dhe qendror. Republika e Kosovës është e përkushtuar për respektimin e dispozitave të Kushtetutës dhe Planit të Ahtisaarit për bashkëpunimin ndër-komunal, por këto dispozita nuk mund të rezultojnë në nivel tjetër të qeverisjes.

Parimi 8: Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj, të drejtat mbi burimet natyrore dhe asetet të cilat janë në territorin sovran të Republikës së Kosovës, janë ekskluzivisht të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht nuk janë të hapura për negociim.

Parimi 9: Pёr Republikёn e Kosovёs marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotёsimit tё kushteve nё vijim a) Serbia ka njohur Kosovёn si shtet të pavarur dhe sovran, b) referendumi pёr marrёveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovё, dhe c) marrёveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve.

Parimi 10: Para dakordimit lidhur me formatin dhe rrjedhën e procesit të dialogut, Republika e Kosovës do të kërkojë masa të ndërtimit të besimit nga Republika e Serbisë. Këto masa përfshijnë:

(a) Zotimin që, në kuadër të marrëveshjes për të gjitha çështjet e tjera, delegacioni serb e ka autoritetin që të bie dakord për Parimin 1;

(b) Zotimin nga Republika e Serbisë se do t’i ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet diplomatike apo aktivitetet tjera që synojnë të pengojnë ose minojnë njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera gjatë kohës sa dialogu është duke vazhduar, dhe se do të përmbahet nga kundërshtimi, ose nga inkurajimi i shteteve të tjera për të kundërshtuar, i aplikimeve të vazhdueshme të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Parimi 11: Në ushtrimin e mandatit të tij, Delegacioni Shtetëror do të funksionoj nёn premisat si nё vijim:

11.1 Transparenca: Delegacioni do të sigurojë informim të rregullt publik dhe parlamentar mbi ecurinë e dialogut.

11.2 Gjithëpërfshirja: Procesi negociues do të zhvillohet në atë mënyrë që të mundësojë përfaqësimin e interesave të gjithë qytetarëve të Kosovës. Do të ketë një përbërje të gjerë të Delegacionit Shtetëror, të komisionit mbikëqyrës parlamentar dhe të organeve të tjera të përfshira në këtë proces.

11.3 Qasja: Për ato grupe tё interesit që nuk përfaqësohen, Delegacioni Shtetёror do të krijojë një mekanizëm kontakti për të mundësuar pjesëmarrjen efektive në proces. Qёndrimet dhe sygjerimet e tilla do të merren parasysh dhe do të bëhen publike.

11.4 Konsensusi politik: Çdo herё që është e mundur, pozicionet negociuese duhet të merren nё konsensus politik midis partive parlamentare.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që ‘sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj’”.



Të ngjashme