Presidenti Thaçi shtyn zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 15:50 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që të shtyhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut.

Kryetari i deritanishëm, Goran Rakiq është emëruar zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë Hoti, për ketë arsye në Veri do duhej të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar

Ekonomia Online ka siguruar dokument-vendimin në të cilin presidenti Thaçi shtyn zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.


“Me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe parandalimit të rritjes së numrit të personave të infektuar në Republikën e Kosovës si dhe ruajtjes së shëndetit publik, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, pas dorëheqjes së kryetarit të kësaj komune, shtyhen për një afat të pacaktuar”, ka thënë ky burim.

Goran Rakiq i cili është edhe kryetar i Mitrovicës së Veriut, është zgjedhur zv.kryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal, në qeverinë e re.

Rakiq është zgjedhur kryetar i Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme në maj të vitit të kaluar.

Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Megjithatë, pas dorëheqjes Rakiq kishte kandiduar përsëri për kryetar të Mitrovicës së Veriut, ku edhe kishte fituar zgjedhjet.

Fat të njëjtë si Mitrovica e Veriut kishte edhe Podujeva. Kryetari i kësaj komune, Agim Veliu ishte zgjedhur më 3 shkurt të këtij viti, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë nuk janë mbajtur ende, për shkak të pandemisë COVID-19.

Të ngjashme