Prokurorët e EULEX-it refuzojnë ‘Rastin Lumezi’

Prishtinë | 06 Nën 2017 | 17:15 | Nga

Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, po refuzon ta marrë përsipër hetimin e dyshimeve për falsifikim të dosjes së provimit të jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.Një zëdhënëse e EULEX-it konfirmoi për KALLXO.com se prokurorët e EULEX-it nuk do ta trajtojnë këtë rast, sado që kjo mundësi u është ofruar nga vendorët.

Tash e dy javë, Lumezi është nën presion të opinionit për të dhënë sqarime rreth dyshimeve që janë ngritur për provimin e tij të jurisprudencës, të vitit 1991.

Kjo çështje është trajtuar sot edhe në takimin e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri me shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

“Është e rëndësishme që supozimet t’i  lënë hapësirë fakteve konkrete dhe që ky proces verifikimi të përfundoj sa më parë në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të ruhet kredibiliteti i institucioneve tona”, thuhet në postimin e Tahirit në Facebook pas këtij takimi.

Por zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Solomon, tha se EULEX, në këtë rast, do të veprojë vetëm si monitorues.

“Akuzat do të trajtohen nga autoritetet kompetente të prokurorisë së Kosovës. Prokurorët e EULEX-it kanë pranuar dhe shqyrtuar kërkesën e  Lumezit. Misioni do të monitorojë rastin. Shefi i Misionit të EULEX-it e shprehu këtë qëndrim sot gjatë një vizite të rregullt me ​​Ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri”, tha Nikoliq- Solomon.

Sipas saj, prokurorët e  EULEX-it në përputhje me mandatin aktual nuk marrin raste të reja “përveç atyre që janë në rrethana të jashtëzakonshme”.

Disa ditë më parë, ishte Enver Hasani, ai që deklaroi se Aleksandër Lumezi ka falsifikuar provimin e jurisprudencës, para se kjo çështje të marrë jehonë në media.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ende nuk është deklaruar saktësisht në lidhje me këto akuza ndërsa ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Enver Hasanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme