Promovohet strategjia zhvillimore e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë 2016-2020

Prishtinë | 30 Sht 2016 | 14:31 | Nga

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferencë për media, ku u prezantua strategjia zhvillimore e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë për vitin 2016-2020.

Në këtë konferencë morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, zëvendësministrat e MPB-së, Nehat Mustafa, Valdet Hoxha, kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Ake Roghe, si dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë dhe vendor.

Me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se po vazhdojmë të rendisim suksese të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, sukseset e kësaj agjencie janë të njëpasnjëshme dhe kjo vjen falë punës që kanë bërë punëtoret dhe udhëheqësit dhe falë punës së organizatave ndërkombëtare që e kanë përkrahë këtë agjencie.

“Forenzika si në çdo shtet tjetër demokratik është instrument i pa zëvendësueshëm në zbatimin demokratik të rendit dhe ligjit, përkatësisht në përkushtimin e një vendi demokratik për të vendosur rend dhe ligj, për të luftuar krimin dhe në këtë rrafsh forenzika është e pa zëvendësueshme. Jemi në pak vende të Ballkanit perëndimor që kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me FBI-në dhe për këtë do të bëj një zotim në emrin tim personal dhe të MPB-së që përkrahja për AKF nuk do të mungoj”, theksoi ministri Hyseni.

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikëë, Blerim Olluri, tha se prova shkencore sot po luan një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në zbardhjen e veprave penale, identifikim e kryerësve të tyre, por edhe vetë në procedurë penale dhe procedurë civile si tërësi.

Gjyqësori, prokurori dhe zbatuesit e ligjit po mbështeten fuqishëm në ekspertizë, kjo për faktin sepse në procedurë, shpeshherë kërkohen analiza apo ekzaminime shkencore komplekse.

“AKF me kërkesën e organeve të drejtësisë, për çdo vit, kryen rreth 5000 ekspertiza me mbi 30,000 mijë prova materiale, me cilësi të lartë. Kjo me të vërtetë është një tregues i fuqishëm për rolin dhe rëndësisë e ekspertizës në procedurë”, theksoi Olluri.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Siguri Publike në OSBE, z. Ake Roghe, tha se agjencia është në rrugë të mirë sa i përket perspektives dhe është në një nivel shumë të lartë edhe ndërkombëtar ne ruajtën dhe ekspertizën e provave forenzike. Sa i përket perspektives së sigurisë, kjo agjenci për çdo vit ka rritje të performanses, që ndikon drejtpërdrejtë në zbardhjen e rasteve.

Strategjia zhvillimore e AKF-së 2016-2020 përcakton:

1. Ngritjen e kapaciteteve forenzike;

2. Rritjen e bashkëpunimi dhe komunikimit me policinë, prokurorinë, gjykatës, Depratamentin e Mjekësisë Ligjore;

3. Adresimin dhe regjistrimin e të dhënave(gëzhoja dhe predha të armëve) në sistemin IBIS gjurmimin dhe testimin e armëve pa leje;

4. Ngritjen e institutit për hulumtim shkencor forenzik; ngritjen e studimeve mastër në shkencën e Forenzikes etj.

Të ngjashme