Qeveria e dërgon në Kuvend ratifikimin e Demarkacionit

Prishtinë | 04 Gus 2016 | 09:16 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria e Kosovës u mblodh sot në mëngjes me një pikë të vetme sipas rendit të ditës: Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë mbledhjes iu ka referuar debatit të zhvilluar një ditë më parë lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Dje ka pas ballafaqim të argumenteve të Komisionit Shtetëror dhe deputetëve dhe disa specialistëve të cilët kishin ardhur që të shprehin pikëpamjet e tyre lidhur me kufirin dhe me vijën kufitare. Unë konsideroj se ajo që ka punuar Komisioni Shtetëror është vërtetuar se ka qenë çdo gjë në rregull, se iu është përmbajtur mandatit që e ka pas me vendim si Komision Shtetëror. Është vërtetuar se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me këtë, dhe po ashtu me ligj këtë që ministri tani e tha ne e kemi lënë mundësinë që herë dokurdo në qoftë se vërtetohet ndonjë paqartësi ose ndonjë fakt juridik mbi të cilin ne mund të themi se ndonjë pëllëmbë e territorit ose një pjesë ka kaluar andej ekziston mundësia që me mirëkuptim me Malin e Zi ta rishqyrtojmë dhe ta rregullojmë edhe atë çështje”.

“Për neve është me rëndësi themelore që ta ratifikojmë Marrëveshjen për Demarkacionin, që të krijojmë kushte të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit me Malin e Zi, sepse është një vend i cili na ka përkrahur vazhdimisht dhe me të cilin kemi pas marrëdhënie të shkëlqyera. Vend që tani po pranohet në NATO, do të thotë kemi të bëjmë me një shtet të NATO-s. Para së gjithash, si argument mund të themi se pasi është nënshkruar marrëveshja në Vjenë, na shërbejnë edhe vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtar, të themeluar nga presidentja e vendit, e cila ka vlerësuar se kufiri është aty ku e ka caktuar Komisioni Shtetëror”.

qeveria

“Edhe vlerësimet e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe përkrahja që presidenti Obama i ka dhënë, por edhe Marrëveshja e Kumanovës, e cila ka krijuar obligimin e Kosovës me rastin e hyrjes së forcave të NATO-s, që ne t’i përmbahemi këtij territori, por po ashtu edhe Pakoja e Ahtisaarit dhe Deklarata e Pavarësisë, të cilat ndërlidhen në momentin kur e kemi shpallur pavarësinë dhe me territorin me të cilin ne e kemi shpallur pavarësinë, atë që në Pakon e Ahtisarit është 31 dhjetori i vitit 1988, si territor që e ka trashëguar Kosova nga ish-Jugosllavia, përkatësisht nga Republika e Serbisë. Prandaj, mendoj se jo vetëm që ne duhet ta procedojmë këtë, por duhet edhe të punojmë me opinionin dhe t’i bindim qytetarët dhe opinionin se një vendim i tillë është i drejtë dhe se kauza e opozitës lidhur me këtë është e paqëndrueshme, është artificialisht e krijuar. Nuk ka argumente që një çështje e tillë tani të kthehet ose që të pengohet, sepse na pengohen shumë procese të integrimeve evropiane dhe euroatlantike me këtë”.

“Në Kuvend ky projektligj do të shkojë me procedura të rregullta. Ne do t’i procedojmë sot në Kuvend dhe Kuvendi pastaj do të vendos kur do të mbahet mbledhja e Kuvendit lidhur me këtë çështje”.

“Konstatoj se Qeveria aprovoi njëzëri Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Prezantimin e projektligjit para kabinetit qeveritar e bëri ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

“Ky Projektligj ka tri shtylla kryesore të ndërtuara në tri nene. Së pari ratifikohet Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi  të nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015. Neni i dytë ka të bëjë me dispozitat e marrëveshjes. Dispozitat e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi janë nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015. Nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Dispozitat e kësaj marrëveshje mund të ndryshohen sipas procedurës së njëjtë të paraparë me miratim”.

“Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar. Pjesa e tretë apo shtylla e tretë e këtij projektligji e ndërtuar në nenin e tretë, ka të bëjë me pjesët përbërëse të këtij ligji. Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi e nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015 është pjesë e këtij projektligji, edhe dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Pas një procesi të gjatë nga viti 2012 deri në ditët e sotme, kërkoj nga ju që ta mbështesim këtë projektligj”, tha ministri Enver Hoxhaj.

Të ngjashme