Seanca të jashtëzakonshme me 5 dhe 6 mars

Prishtinë | 01 Mar 2019 | 11:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje të mbajë dy seanca të jashtëzakonshme me 5 dhe 6 mars, raporton Ekonomia Online.

Në bazë të kërkesës së 44 deputetëve, Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, të martën, më 5 mars 2019, në orën 10:00.

Në këtë seancë pritet të debatohet lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.

Të mërkurën, më 6 mars, Kuvendi do të mbajë po ashtu seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të grupit të deputetëve, për të diskutuar lidhur me, siç thuhet, bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Po të njëjtën ditë, në orët e pasdites, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të veçantë, me rastin e 21-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një ditë më pas, më 7 mars, në orën 10:00, në një seancë të rregullt, deputetët pritet të shqyrtojnë një varg projektligjesh dhe çështjesh të tjera.

Pantina: Kërkesat e LDK-së dhe VV-së, mund të trajtoheshin edhe në seanca të rregullta

Përfaqësuesja e Partisë Socialdemokrate në Kryesinë e Kuvendit, Shqipe Pantina, tha se kërkesat për thirrje të seancave të jashtëzakonshme kanë mundur të diskutohen edhe në seanca të rregullta.

Për kërkesën e parë që ka të bëjë me shpenzimet e Qeverisë për kremtimin e 11-vjetorit të Pavarësisë, Pantina tha se Qeveria duhet të jep përgjegjësi ose dikush të shkoj në shtëpi.

“Mbledhja ka përfunduar ku u shqyrtuan kërkesat e LDK-së dhe VV-së për seanca të jashtëzakonshme që do të mbahen me 5-6 mars. Ne do të marrim pjesë në këto dy seanca mirëpo temat e devalvojnë rëndësinë e seancave sepse këto tema do të trajtoheshin në seanca të rregullta. E para ka të bëjë me shpenzimet e qeverisë për 11 vjetorin e pavarësisë, dhe është e drejtë por në fund propozuesit kanë kërkuar të hartohet rezolutë mirëpo vetë vendosja ka kërkuar të mos bëhen rezolutë pasi që nuk po zbatohen. Për shpenzime të tilla qeveria do të duhej të jepte përgjegjësi por edhe të shkoj dikush në shtëpi”, tha Pantina.

Edhe Pantina i ka bërë thirrje presidentit që sa më shpejtë të certifikojë anëtarët e KQZ-së.

“Kërkesa tjetër është e KQZ dhe ne i bëjmë thirrje presidentit që sa më shpejt të bëhet. Ndërkaq për seancat e rregullta ne kemi kërkuar që pikat e rendit të ditës për një ditë të mos jenë më shumë se 10 sepse nuk po votohen”, tha Pantina.

Ajo tutje ka thënë se për pezullimin e taksës duhet të merren seriozisht mesazhet e ndërkombëtarëve derisa theksoi taksa nuk është arsye për rrëzim të Qeverisë.

“Unë mendoj që mesazhet e miqve ndërkombëtarë duhet të merren seriozisht. Klasa politike duhet të ulet dhe të bisedoj. Tarifa nuk do të jetë arsye që ne të kërkojmë rrëzimin e qeverisë. Nëse tashmë janë arritur efektet e duhura duhet të ulemi dhe të rishqyrtohet taksa”, shtoi Pantina.

EkonomiaOnline

?DREJTPËRDREJT – Deklarimet pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me shefat e Grupeve Parlamentare

Posted by EkonomiaOnline on Friday, March 1, 2019

Të ngjashme