SHBA-ja dhe Gjermania me qëndrim të përbashkët e të njëjtë për Kosovën

Prishtinë | 06 Pri 2019 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e SHBA -së dhe ajo e Gjermanisë në Serbi me një reagim të përbashkët të nënshkruar nga ambasadorët Kyle Scott dhe Thomas Schieb kanë thënë se këto vende nuk kanë dallime në qëndrimin e tyre ndaj Kosovës.

Shkak për këtë reagim ka qenë një shkrim i djeshëm i gazetës së Beogradit “Blic” sipas të cilit SHBA-ja dhe Gjermania gjoja kanë dallime në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës.

Ambasadorët në reagimin e përbashkët, siç përcjell sot “blic”, kanë përmendur pikat e përgjithshme të pajtimit në politikën ndaj Kosovës siç janë heqja e taksës ndaj mallrave serbe e të Bosnjë e Hercegovinës, kthim në tryezën dialogu, dhe evitimin e provokimeve dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.

Ky është teksti i reagimit të ambasadorit amerikan Scott dhe atij gjerman Schieb:

Artikulli që e keni publikuar në faqen e parë të ‘Blicit’ më 5 prill është përpjekur të tregojë mospajtimet serioze ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë lidhur me politikën në Ballkan.

Kjo gjë është larg nga e vërteta.

Edhe SHBA-ja e edhe Gjermania vazhdojnë ta përkrahin dialogun që zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së. Ne jemi të përkushtuar ndaj synimit për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e të zbatueshme për t’i kontribuuar stabilitetit rajonal.

Jemi të pajtimit se të dy palët duhet të bëjnë përpjekje për t’i hequr pengesat, t’i evitojnë provokimet e ndërsjella dhe të kthehen në negociata me gatishmërinë që të arrijnë marrëveshje.

Në këtë kuptim, SHBA-ja dhe Gjermania mendojnë se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjë e Hercegovinës, janë të përcaktuara që edhe më tej t’iu japin përkrahje përpjekjeve që shpien te dialogu, pajtimi dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksohet në reagimin e përbashkët të nënshkruar nga ambasadorët Schieb dhe Scott.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme