Shkullaku: Dialogu i Brukselit s’e ka prodhuar esencën – njohjen mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 16 Qer 2020 | 21:25 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i rrethanave politike në Kosovë dhe Shqipëri, Armand Shkullaku, ka vlerësuar se Bashkimi Evropian ka dështuar që për nëntë vjet të arrijë cakun e synuar përmes dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ky proces ka nisur në fund të vitit 2011 dhe shumë palë kanë qenë skeptike. Është thënë se po shkohet në dialog për dialog. Duket se Brukseli ishte i interesuar që t’i vinte palët në tavolinë pa synim afatgjatë. Dialogu nuk ka prodhuar esencën – njohjen, paqen mes dy vendeve”.

“Brukseli e ka humbur rrugës qëllimin e këtij dialogu. BE ka shfaqur probleme në politikën e saj të jashtme. Nuk është diçka e re nëse kritikojmë BE-në për zvarritje të proceseve apo mospasjen e qëndrimit unik. Është një rivalitet mes Gjermanisë dhe SHBA në këtë fushë”.

“Ka pasë një lloj amerikanizimi të tepruar të politikanëve në Kosovë, nga Thaçi, standard të dyfishtë të trajtimit të BE-së. Ka një lloj përbuzje të dërguarit të posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak. Kur themi Lajçak ne kemi parasysh Brukselin. Nuk do të ndodhin që Thaçi, Mustafa, Hoti… të flasin me gjuhë të ashpër për SHBA sikur për Brukselin”.

Shkullaku është shprehur në Rubikon se për Kosovën është jetike që të ruajë të dy aleancat.

“Më jetike e ka Serbia marrëveshjen. Trump ka nevojë jetike për të korrur një fitore në politikën e jashtme. I duhet një shou fotografish. Kjo se di sa na duhet neve, por që i duhet Trumpit, i duhet. Është shumë e qartë se në kohën e nxitimit e ka parë se kush është shteti që bartë presionin”.

Të ngjashme