Shoqëria civile kërkon sqarim nga Haradinaj për shkarkimin e 10 anëtarëve të bordeve

Prishtinë | 02 Tet 2017 | 13:36 | Nga

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti për Studime të Avancuara (GAP) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i janë drejtuar sot përmes një letre kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo letër vije si reagim ndaj vendimit të 29 shtatorit të marrë nga kryeministri për shkarkimin e 10 anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Kumtesa e plotë nga Instituti INDEP, GAP, GLPS.

“Ne argumentojmë se vendimi i marrë paraqet zbatim selektiv të ligjit dhe nuk e çon në zbatim të plotë punën e deri tashme të shumë aktorëve, përfshirë neve, për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Vendimi për shkarkimin e dhjetë drejtorëve të bordeve të ndërmarrjeve publike nuk mirëpritet e as mbështetet nga ne për një sërë arsyesh”, thuhet në kumtesën e INDEP, GAP, GLPS, transmeton EkonomiaOnline.

“Së pari, ky vendim paraqet zbatim selektiv të ligjit dhe të opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit pasi janë shkarkuar vetëm 10 nga 19 anëtarët e bordeve që janë emëruar në kundërshtim flagrant me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike.”

“Së dyti, e kundërshtojmë këtë vendim sepse sikur ky vendim ta kishte për qëllim zbatimin e ligjit, do të pasonte faza e emërimit nëpër këto pozita të anëtarëve të tjerë nga Listat Rekomanduese, ashtu siç e kërkon ligji.”

Së treti, pjesë e këtij vendimi janë anëtarë të një organi i cili nuk është më nën përgjegjësinë e Qeverisë, por të Kuvendit të Kosovës dhe është vetëm Kuvendi ai që mund t’i shkarkojë këta drejtorë.

Ashtu siç mund ta shihni në Letrën dërguar kryeministrit, me miratimin e pakos së tretë të legjislacionit në fushën e energjisë vitin e kaluar, aksionar i KOSTT është Kuvendi i Kosovës i cili emëron dhe shkarkon anëtarët e bordit të KOSTT.

Në këtë kuptim, shkarkimi i anëtarëve të KOSTT paraqet ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit të Kosovës dhe mund të jetë i dëmshëm për pavarësinë e operatorit dhe pozitën e tij në një treg që tashmë ka filluar të liberalizohet.

Përveç këtyre, ne i kemi kërkuar kryeministrit që për ta dëshmuar që njëmend e ka për qëllim t’i depolitizojë bordet, do të duhej që në këtë vendim të 29 shtatorit, t’i  përfshijë edhe anëtarët e bordeve që aktualisht, në kundërshtim flagrant me ligjin, janë duke kandiduar për anëtarë të asambleve komunale. Për këto arsye, e kundërshtojmë këtë formë selektive të zbatimit të ligjit dhe kërkojmë marrjen e vendimeve që çojnë deri në fund zbatimin e së drejtës së plotë dhe për të gjithë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme