Shtyhet votimi i rekomandimeve nga interpelanca e Haradinajt për rastin Dehari

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 10:36 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi ka shtyrë për votim në seancë e radhës rekomandimet nga Interpelanca e Kryeministrit Ramush Haradinaj Kosovës, lidhur me vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konujfca, ka kërkuar të shtyhet votimit i rekomandimeve për rastin Dehari, deri sa të lirohen nga paraburgimi 7 deputetë të kësaj partie pas arrestimit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

“Për shkak të seancës dhe arrestimit të deputetëve të LVV-së është pamundësuar për të trajtuar këtë çështje, sepse na mungojnë 7 deputetë. Ne kërkojmë lirimin e deputetëve që qëllim kishin parandalimin e një marrëveshje të dëmshme. Kërkojmë të shtyhet votimi dhe bëjmë thirrje organeve të drejtësisë mos bëhen pjesë e kapur nga pushteti”.

Dardan Sejdiu, nga grupi i deputetëve pavarur tha se e përkrahin shtyrjen e votimit duke kërkuar që të lirohen deputetët e VV-së nga paraburgimi.

Avdullah Hoti, nga LDK-ja, tha se e përkrahin shtyrje të votimit. Memli Krasniqi, nga PDK-ja tha se duhet të bëhet dallimi prej gjyqësorit dhe politikës por megjithatë ai tha se mbështesin këtë shtyrje të votimit.

“Ne mbështesim kërkesën për votimin e rekomandimeve të interpelancës për seancën e radhës”.

Edhe grupet parlamentare të partive të tjera miratuan shtyrjen e votimit të rekomandimeve të nxjerra nga interpelanca e kryeministrit të shtyhet për seancën e radhës.

Këto ishin rekomandimet e VV-së për këtë rast: Hetim i pavarura dhe transparent për vrasjen e Astrit Deharit; Dorëheqja e ministres Dhurata Hoxha dhe Skender Hysenit dhe fillimin e hetimeve për sigurinë ndaj personave përgjegjës të burgut.

Në interpelancën për Rastin Dehari më 16 mars, debati i ashpër gati ka eskaluar në përleshje fizike ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes.

Kreu i VV-së Albin Kurti kërkoi dorëheqjen e ministres së Integrimit, Dhurata Hoxha, në atë kohë ministre e Drejtësisë.

Kur, Hoxha e mori fjalën deputetë të Vetëvendosjes kanë ndërprerë fjalën e ministres, duke bërë zhurmë e duke goditur tavolinat.

Ata kanë thirrur “kriminele” në drejtim të ministres së PDK-së. Kjo ka nxitur reagimin e deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili filloi fjalosjen me deputetin e Vetëvendosjes, Sali Zyba. Më pas ndërhyri edhe deputeti Rexhep Selimi e u grumbulluan shumë deputetë të tjerë.

Dehari ka vdekur në rrethana të pasqaruara në burgun e Prizrenit.

Të ngjashme