Surroi e sheh më të mundshëm anëtarësimin në NATO se në OKB

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Sipas publicistit Veton Surroi, Kosova e ka më të mundshëm anëtarësimin në NATO sesa në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se në OKB do të jetë i vështirë pranimi i Kosovës përderisa ekziston e drejta e vetos te Rusia dhe Kina. Sa i përket NATO-s ka thënë se kërcënimi që kjo organizatë sheh nga Rusia mund të bëjë që shtetet anëtare të NATO-s të pranojnë Kosovën.

Duke thënë se ka në botë ka nisur një rikonfigurim i raporteve diplomatike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë qasje të re për Bashkimin Evropian dhe përafrimi i tyre kundrejt Rusisë, Surroi ka thënë se Kosova duhet të bazohet në “atë që është e mundshme”.

“E kemi parë në mënyrë të gabueshme (dialogun) sepse kemi parë që sa herë është nënshkruar një marrëveshje ‘ka qenë historik’ e që do t’ia japë Kosovës mundësinë e hyrjes në OKB. S’di pse duhet të mendohet se përnjëherë ky proces do ta kënaqë Rusinë e Kinën që kanë të drejtën e vetos. Duhet të bazohemi në atë që është e mundshme. Ajo që është e mundshme dhe e dëshirueshme është që të jemi pjesë e NATO-s. Duhet t’i adresojmë problemet që kemi me 4 shtetet e NATO-s që s’e kanë njohur, duke filluar nga Spanja”, ka thënë ai në “Deskun” e KTV-së.

Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë që dialogu i Brukselit të shndërrohet në dialog euroatlantik me përfshirjen në të të SHBA-së e që në rrugën drejt anëtarësimit në NATO të mos ketë pengesa nga Serbia e Rusia.

“NATO-ja është më e kapshme në kuptim të realitetit. Po të ulesh me ministrin e Jashtëm të Spanjës tregon se Rusia është shndërruar në forcë rrezikuese të Ballkanit Perëndimor dhe duke rrezikuar edhe zgjedhjet në SHBA, janë elemente të kapshme… Pengesa kryesore është se ka shtete që s’duan të merren fare me këtë. Ideja është kjo që Rusia si një shtet dhe Putini që ia ka zgjat mundësinë vetes që të jetë në krye të Rusisë edhe për 15 vjet nëse ka shëndet, kjo nënkupton që kemi të bëjmë me përllogaritje afatgjate që në perspektivën e Moskës, janë pjesë të një loje shahu. Për Putinin Kosova është si Serbia, si Ukraina, si Krimeja si Gjeorgjia. I sheh si pika të konfrontimit me Perëndimin”, ka deklaruar më tej ai.

Sa i përket idesë të fundit që ka qarkulluar për këmbime territoresh në Ballkan, Surroi ka thënë se kjo i përshtatet Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq për shkak se “humb fokusi nga tema kryesore e dialogut që Kosova të jetë e barabartë me Serbinë”.

Surroi ka thënë se çështja e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem duhet të konsiderohet e mbyllur.

Të ngjashme