Të larguarit nga VV mund të bëhen tërheqës për strukturat në pushtet

Prishtinë | 19 Mar 2018 | 09:15 | Nga

Problemet e fundit që ndodhën në Lëvizjen Vetëvendosje, që pas zgjedhjeve të fundit arriti të bëhej partia më e madhe në vend, shkaktoi mospajtime të shumta që e çuan atë edhe drejt ndarjes.

Nga 32 deputetë, sa pati Lëvizja Vetëvendosje, 12 prej tyre formuan Grupin e Deputetëve të Pavarur (GDP), një deputete u rikthye prej nga kishte ardhur në këtë parti, duke bërë kështu VV-në forcën e tretë në Kuvend, me 19 deputetë.

Grupi i Deputetëve të Pavarur, shef i së cilës është Dardan Sejdiu, pritet që shpejt të formojë edhe partinë e vet.

Analisti Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Koha.net, ka folur për ndarjen e këtyre deputetëve nga VV dhe mundësitë që ata do të mund të arrinin sukses.

“Grupi i Deputetëve të Pavarur është në filiza të subjektivizimit, prandaj do t’i duhet kohë dhe resurse që të konstituohet dhe konsolidohet në terrenin elektoral, në spektrin politik dhe në sferën publike. Formacioni partiak i GDP-së aktualisht është në gjendje të potencialitetit”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri ka shtuar se e ardhmja e GDP-së do të varet nga dija dhe aftësia që të formësojë identitet të bazuar në ndërlidhjen subtile në mes të trashëgimisë politike nga Lëvizja Vetëvendosje dhe shndërrimit në një alternativë më pragmatike, me mundësi reale të ardhjes në pushtet për aplikim konkret të ideve.

“Do t’i duhet ta bëjë një ribrendim kualitativ, me qëllim që të mos distancohet nga e kaluara, por as të mbetet peng i saj. GDP-ja mund të ketë gjasa për sukses nëse do të anojë më shumë drejt teknokracisë dhe fokusimit në ofrimin e strategjive të sistematizuara për trajtimin e problemeve në disa prej segmenteve si ekonomia, mirëqenia, shëndetësia, arsimi”, shtoi Muhaxhiri në një përgjigje për Koha.net.

Tutje, ka thënë se kjo do të ishte mënyra e duhur për t’u veçuar nga moria e amatorizmave të dëmshme afatgjate që e kanë pllakosur jetën tonë institucionale.

Sipas tij, nëse GDP-ja do të identifikohej si aleate politike me kapital teknokratik dhe kapacitete të specializuara për administrimin racional zhvillimor të pjesëve të caktuara të sistemit, atëherë partitë tjera do ta shihnin të dobishme të tregonin gatishmëri për përfshirjen e saj në konstalacionet qeveritare.

Kujtojmë se në GDP bëjnë pjesë këta deputetë: Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme