Thaçi nderon dëshmorët e Marinës me urdhrin “Hero i Kosovës”: Askush s’mund ta njollosë luftën e UÇK-së

Skenderaj | 05 Tet 2018 | 11:57 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë të Skenderajt, presidenti Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ka vendosur që dëshmorët e varrosur në këtë kompleks, t’i nderojë me urdhrin “Hero i Kosovës”.

“Kam marrë vendim që të gjithë dëshmorët e varrosur në Kompleksin Memorial në Marinë të nderohen me urdhrin e lartë ‘Heronj të Kosovës’. Prej sot, këtu në marinë 158 heronj të Kosovës prehen. Në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, me vlerësimin e lartë të jetës dhe veprës së dëshmorëve të lirisë, ritheksoj se urdhri ‘Heronj të Kosovës’ i jepet 158 dëshmorëve”.

“Në këtë tokë të Drenicës do të pushojnë përjetësisht eshtrat e 158 dëshmorëve të UÇK-së. Ata që në kohë dhe vende të ndryshme, në grupe ose individualisht, ranë heroikisht në beteja, istikame, aksione e përballje më forcat serbe në  vitet 1998, 1999. Këtu do të prehet krenaria e Drenicës, Kosovës dhe mbarë kombit. Këta emra të skalitur në gur graniti ishin bijat dhe bijtë tuaj të shtrenjtë. Ishin bashkëluftëtarët tanë që më shumë se jetën e kishin të shtrenjtë lirinë e atdheut, lirinë e Kosovës. Në vitet e papërsëritshme, ata u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.

Kush hyri në radhët e saj, sipas presidentit Thaçi, e ka përmbushur një mision dhe aspiratë shumë shekullore të gjeneratave dhe brezave që pareshtur aspironin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Këta dëshmorë e heronj e mbytën frikën, shpirtin e robit, me armë në dorë, uniformë dhe emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës treguan guximin dhe gatishmërinë për t’iu kundërvënë policisë dhe ushtrisë serbe. Dashuria dhe patriotizmi arritën shkallën më supreme të organizimit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj UÇK-ja nga strategët dhe teoricienët e luftës konsiderohet si guerilja më e suksesshme e shekullit njëzet në botë. Ajo doli nga populli. Në të veproi pjesa më e gatshme e kombit për t’u sakrifikuar për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës. Ishte ushtri e vullnetit dhe gatishmërisë për flijim. Ishte UÇK-ja ajo që e ngriti në pikën më të lartë të ndërkombëtarizimit çështjen e pazgjidhur të Kosovës. UÇK-ja të pamundurën e bëri realitet”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit shtoi se të rinj dhe të reja, studentë, punëtorë, fermerë, burra dhe gra nga të gjitha trojet kombëtare, me uniformën e UÇK-së, ranë në fushën e nderit.

Në krye të atdhetarëve idealistë, ai tha se kanë qenë edhe tre komandantët e shquar të tri brigadave, Abedin Rexha i brigadës 112, Mujë Krasniqi i brigadës 113 dhe Ilaz Kodra, i brigadës 114.

“Karakterin popullor dhe patriotik të luftës së drejtë të UÇK-së më së miri e tregon edhe fenomeni i rënies së komandantëve të brigadave. Ata qëndruan përballë armikut si Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi, duke rënë në fushëbeteja. Ata qëndruan pranë ushtarëve dhe popullatës civile, duke dhënë shembullin më të mirë se sa e fuqishme ishte dashuria ndaj atdheut, se sa e vlefshme është liria, e cila fitohet me gjak dhe sakrifica. Këta emra dëshmorësh heronj dhe të emra të tjerë anembanë Kosovës janë dëshmia më e mirë që nuk ka asnjë forcë sado desktruktive që arrin ta njollos karakterin dhe qëllimin çlirimtar të UÇK-së”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se emri, jeta dhe vepra e tyre merr shkëlqim edhe më të madh, aq sa thellohen rrënjët e lirisë, pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot Kosova po punon në konsolidimin e rrafshit të jashtëm dhe të brendshëm.

“Po punojmë intenzivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe NATO-n, për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes me Serbinë për korrigjimin e kufijve, edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se ky m​emorial është dëshmi e respektit institucional për ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën.

“Te ky memorial do të përkulen përjetë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë për ta kuptuar se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia. Ky memorial është dëshmi se askush nuk do të ketë forcë dhe argument për ta njollosur luftën e drejtë të UÇK–së. Komandantët Abedin Rexha, Mujë Krasniqi dhe Ilaz Kodra dhanë jetën në tokën e tyre. Qindra e qindra dëshmorë u sakrifikuan në tokën e tyre, për çlirimin e atdheut të tyre”, theksoi ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se nëse ardhja në jetë është një akt hyjnor, atëherë rënia për liri është akti më sublim dhe më heroik i njeriut.

Të ngjashme