Thaçi vlerësoi lart kontributin e diasporës për forcimin e dy shteteve shqiptare

Prishtinë | 01 Mar 2019 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Samitin e Dytë të Diasporës, i cili mblodhi shumë bashkatdhetarë tanë këto ditë në Tiranë.

Presidenti Thaçi ka thënë se kontributi diasporës shqiptare ka qenë i jashtëzakonshëm, si për demokratizimin e Shqipërisë, ashtu edhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kreu i shtetit ka thënë se shteti ynë sapo shënoi 11 vjetorin e pavarësisë dhe ka gjithsej 116 njohje ndërkombëtare, si dhe është e anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare, porse duhet të lëvizim më shpejt përpara.

“Kosova nuk ka vetëm miq dhe partnerë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian, por ka edhe kundërshtarë të pavarësisë që e ngadalësojnë progresin e konsolidimit, në veçanti të jashtëm, të shtetit të Kosovës. Ajo që mund të them është se Kosova ka bërë reforma të jashtëzakonshme, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion. Por, ky progres është edhe kontribut i juaji dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka shtuar se tash jemi në një rrethanë të re, në një moment të volitshëm, kur Kosova me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe në koordinim të plotë me miqtë e saj, po përgatitet që të hyjë në dialogun përfundimtar me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

“Synimi i institucioneve të Kosovës është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje kjo, e cila do ta garantojë njohjen reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ne të gjithë e dimë atë se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë. Këtu po shoh edhe bashkëluftëtarë me të cilët kemi qenë në istikamet e luftës kundër ushtrisë dhe policisë  serbe. Por, në të njëjtën kohë, kemi ditur edhe atëherë që të jemi edhe të urtë, edhe të përgjegjshëm, edhe shumë të vendosur në arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme, si në Rambuje ku i është hapur rrugë bombardimit të Serbisë, gjithashtu edhe në Vjenë ku i është hapur rrugë procesit të pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se është e natyrshme të ketë ide të ndryshme, porse nuk do të lejojë në asnjë rrethanë organizim të ndonjë konference ndërkombëtare ku participon edhe Rusia.

Ai ka shtuar se Kosova do të angazhohet vetëm në një proces ku Bashkimi Evropian udhëheq dhe ku mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e plotë.

“Në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim nuk do të lejojë as të qarkulloj më tutje si ide, megjithëse jam shumë dashamirës i diskutimit të ideve, ideja e ndonjë Unioni Ballkanik. E ritheksoj se ideja për krijimin e ndonjë Unioni Ballkanik është cenim i kombit tonë. Është cenim i vlerave euroatlantike të orientimit tonë. Ideja për një Union Ballkanik është rikthim prapa për kombin tonë. Unioni i Kosovës, por edhe i kombit shqiptar, është Unioni i Bashkimit Evropian, NATO-ja dhe miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë samit, kreu i shtetit ka folur edhe për idetë që po qarkullojnë rreth shkëmbimit të territoreve.

“Ndarja e Kosovës, pa shkelur mbi trupin tim, nuk mund të bëhet. Nuk do të mund ta cenoj askush një milimetër të territorit të Republikës së Kosovës. Askush nuk do të mund ta cenoj as Trepçën, as Mitrovicën, as Ujmanin dhe asnjë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, presidenti Thaçi ka thënë se është për korrigjimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin për realizimin e aspiratës së të drejtave legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës, pa cenuar territorin e Republikës e Kosovës. Natyrisht se jemi në një Status Quo dhe në një konflikt të ngrirë që duhet ta tejkalojmë. Ne tash duhet së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, të lëvizim më shpejt drejt perspektivës euroatlantike, në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ne, së bashku me miqtë tanë, duhet të shikojmë drejtë një zgjidhjeje që garanton njohje edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, nga Greqia, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Spanja. Prandaj, e theksoj edhe njëherë se nuk do të lejojmë, po ashtu, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim, që asnjë broçkull e politikës elektorale ditore të cenoj raportin e posaçëm dhe të përjetshëm me hisedarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në Samitin e Diasporës në Tiranë, presidenti Thaçi e ka vlerësuar lart kontributin e madh të bashkatdhetarëve tanë, të cilët jetojnë dhe veprojnë anekënd botës, për forcimin e dy shteteve shqiptare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme