Thirrja e Kurtit për Mustafën: Marrëveshje për Qeverinë, jo “ujdi monarkësh”

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 07:53 | Nga Ekonomia Online

Heqje dorë nga kërkesa për postin e kryetarit të Kuvendit dhe rikthim në tryezën e negociatave për marrëveshje për Qeverinë, është thirrja e fundit që pretenduesi për kryeministër, Albin Kurti, ia ka bërë kryetarit të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.

“Ujdi monarkësh” e ka kualifikuar Kurti kërkesën e LDK-së për rokadën e propozuar me postin e kryeparlamentarit. Nëpërmjet një letre dërguar Mustafës, kreu i VV-së ka shprehur keqardhje për ndërprerjen e takimeve, teksa ka përsëritur se zgjedhja e Konjufcës në krye të Kuvendit është proces i pakthyeshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pa marrëveshje paraprake me LDK-në, Kurti pati propozuar Konjufcën për kryetar të institucionit ligjvënës, i cili kishte marrë 75 vota. Pro tij kishin votuar të gjithë deputetët e LDK-së. Kurti e ka sfiduar homologun e tij, që nëse janë bërë pishman, ta iniciojnë procedurën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.

“Ju keni të drejtë të jeni të penduar dhe të kërkoni nga Grupi parlamentar i LDK-së që po ashtu të pendohet dhe ta ndërmarrë iniciativën ta shkarkojë kryetarin e ri legjitim e demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca. Kishte dhjetëra vota kundër z. Konjufca më 26 dhjetor 2019. Pra, përveçse keni të drejtë, ju keni edhe gjasa ta shkarkoni z. Konjufca. Pra, unë nuk mund t`ju ndihmoj në këtë rrugë”, ka shkruar Kurti në letër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme