Varhelyi e quan “sekondare” idenë e shkëmbimit të territorit

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 18:22 | Nga Ekonomia Online
“Pozicioni ynë ka qenë i qartë që nga fillimi. E kjo është se kyçe është ajo për të cilën pajtohen dy vendet. Një marrëveshje rreth së cilës pajtohen dyja palët dhe që nuk paraqet rrezik për shtetet tjera të rajonit”, ka thënë Varhelyi.

Duke u raportuar deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian rreth konferencës së liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Verhelyi, ka thënë se Komisioni do të vazhdojë në punën për përgatitjen e paketës së zgjerimit, raporteve të progresit dhe kornizën negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të cilat do t’i paraqesë në muajin qershor. Ai duke folur para deputetëve për rezultatet e “Samitit të Zagrebit” i cili u zhvillua një ditë me herët përmes video-lidhjeve, ka thënë se në atë takim u miratua Deklarata e rëndësishme e cila konfirmon zotimet për perspektivë Evropiane të rajonit.

Gjatë debatit disa deputetë kanë shprehur shqetësime për kthimin e ideve për ndryshimin e kufijve të Kosovës, apo shkëmbimit të territorit, si një marrëveshje të mundur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pozicioni ynë ka qenë i qartë që nga fillimi. E kjo është se kyçe është ajo për të cilën pajtohen dy vendet. Një marrëveshje rreth së cilës pajtohen dyja palët dhe që nuk paraqet rrezik për shtetet tjera të rajonit”, ka thënë Varhelyi, raporton KOHA.

Ai duke folur në të njëjtën temë ka thënë se së pari duhet të vihet deri tek marrëveshja e atëherë mund të shikohet në elementet e ndryshme të saj. “Nuk mendoj se shkëmbimi i territorit është një çështje. Mendoj se kjo është një çështje sekondare”, ka thënë Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Ai është pyetur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, temë rreth së cilës Parlamenti Evropian ka dhënë mbështetjen e vazhdueshme tash e disa vjet, por çështja është bllokuar nga vendet anëtare në Këshill.

Edhe Varhelyi është pajtuar se nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim në Këshill. Ka nënvizuar se Komisioni në vazhdimësi lobon tek vendet anëtare të cilave duhet sqaruar rëndësinë që do të kishte heqja e vizave në një afat të shkurtër. Ka nënvizuar në këtë drejtim edhe rëndësinë që ka mundësia e lëvizjes përmes korridoreve të gjelbra mes kufijve në rajon siç është dëshmuar në kohën e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

Të ngjashme