Veseli bisedë online me përfaqësues të TIK-ut, thotë se Kosova ka nevojë për ta

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një bisedë për online me Uranik Begun që drejton ICK, Astrit Letin e Cactus-it, Mërgim Cahanin e Gjirafës dhe Ermal Sadikun e Linkplus-it të cilët janë ndër përfaqësuesit më të njohur të sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë.

“Sot bëra një bisedë shumë të këndshme dhe të frytshme online me Uranik Begun që drejton ICK, Astrit Letin e Cactus-it, Mërgim Cahanin e Gjirafës dhe Ermal Sadikun e Linkplus-it të cilët janë ndër përfaqësuesit më të njohur të sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë. Së bashku diskutuam për gjendjen, sfidat, nevojat dhe potencialin e këtij sektori strategjik”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se është mirënjohës që teknologjia e informacionit e ka lehtësuar jetën në karantinë.

“Ne jemi mirënjohës që teknologjia e informacionit dhe komunikimit na e ka lehtësuar shumë jetën në rrethanat e karantimit dhe distancës sociale, duke na mundësuar komunikimin me të afërmit por edhe duke mundësuar realizimin nëpërmjet internetit të shumë shërbimeve të nevojshme për qytetarët. Po ashtu, ky është mbase i vetmi sektor ekonomik që ka mundësuar të funksionojë me kapacitete të plota edhe në këtë periudhë të pandemisë. Kjo pra dëshmon se sektori TIK, jo vetëm që ka potencial të madh zhvillimor, por edhe ka dobi të madhe për shoqërinë, prandaj meriton të mbështetet edhe më shumë”, ka thënë ai.

Tutje Veseli ka bërë të ditur se Kosova ka nevojë më shumë për përfaqësues të TIK-ut sesa këta të fundit për shtetin.

“Sipërmarrësit e TIK-ut në Kosovë janë njerëzit e së ardhmes, sepse konkurrojnë me sukses nëpër tregjet globale me kreativitetin dhe aftësitë e tyre. Ky sektor është dëshmuar tashmë si sektori më premtues për rritjen ekonomike dhe punësimin masiv të të rinjve të Kosovës. Prandaj mund të thuhet se më shumë ka nevojë Kosova për ata sesa nevojë ata për ndihmën e Kosovës. Prandaj Partia Demokratike të Kosovës, gjithmonë ka besuar dhe e ka mbështetur këtë sektor e prandaj krijoi Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe do të vazhdojë ta stimulojë edhe në të ardhmen.

Të ngjashme