Viets: Gjermania do të mbështesë këdo që e formon Qeverinë

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 19:53 | Nga

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, dhe deputeti i këtij subjekti, Glauk Konjufca, kanë vizituar sot Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, ku u pritën nga ambasadorja në largim, Angelika Viets, dhe sekretari i Parë, Marten Menger.

Në këtë takim u diskutua rëndësia dhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Gjermanisë, si në rrafshin bilateral po ashtu edhe në atë të integrimeve evropiane, thuhet në një komunikatë dërguar medieve nga Vetëvendosje.

“Zhvillimi ekonomik i orientuar në investime e punësim si dhe sundimi i ligjit për ta luftuar korrupsionin e për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve ishin temat kryesore”, thekson komunikata.

Në veçanti u bisedua edhe për zhvillimet politike në Kosovë në prag të seancës konstituive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ambasadorja Viets thuhet se e uroi Kurtin dhe Konjufcën për rezultatin në zgjedhje dhe shprehu përkushtimin e saj për mbështetjen e cilësdo shumicë parlamentare që formon qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Kurti dhe Konjufca falënderuan Ambasadoren Viets për kontributin e Gjermanisë në Kosovë dhe theksuan gatishmërinë dhe interesimin e tyre për kontakte të vazhdueshme e takime të mëtutjeshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme