Vizita e Kurtit për 577-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës “pa kuptim dhe pa arsye”

Prishtinë | 03 Mar 2021 | 01:11 | Nga Ekonomia Online

Për diplomatin shqiptar, Fatos Tarifa, vizita dhe deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në Lezhë me rastin e 577-vjetorit të “Besëlidhjes” ishin të “pakuptueshme” dhe të “pa-arsyeshme”.

Tarifa e konsideroi “përvjetor të zakonshëm” atë të Besëlidhjes, të parë “pa kuptim nga shumica e forcave politike në Tiranë”.

“Është parë si përvjetor i zakonshëm, çfarë dhe justifikon mungesën e tyre [partive politike] në Lezhë sot, ndërkohë nuk kuptoj se cila ishte logjika e kësaj vizite të papritur, jo-protokollare të njeriut që pritet të jetë [sërish] kryeministri i Kosovës,” – tha Tarifa në edicionin qëndror të Euronews Albania përballë gazetares Bruna Çifligu.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara e konsideroi të gabuar qasjen e Kurtit për të lidhur një ngjarje të lavdishme të historisë sikurse “Besëlidhja e Lezhës” me ngjarje dhe kontekste politike të kohës së sotme.

Sipas tij ngjarja është shumë e largët dhe “nuk bën kuptim sot në rrethanat që thotë Kurti”.

“Ashtu si e konsideroi Kurti, si pikë reference pa të cilën s’bëjnë kuptim politika e sotme në Tiranë apo Prishtinë… [është] një folklorizëm, që s’bën vend në politikën moderne,” – tha Tarifa.

Diplomati shqiptar shtoi se nëse do të përkonte me një vit më domethënës, apo jubilar, normalisht ceremonia do të ishte më e madhe dhe me këtë ai justifikoi mungesën e politikanëve të Shqipërisë në këtë event.

Tarifa tha se pavarësisht lidhjeve, Kosova dhe Shqipëria duhet të mbajnë sjelljet e tyre politike dhe “do të ishte mirë që në marrëdhëniet me njëra-tjetrën t’i përmbahen zotimeve të marra përsipër në takimet e përbashkëta”.

Të ngjashme