VV: Klani Pronto ia vazhdon mandatin Maxhunit që të kontrollojë Policinë

Prishtinë | 08 Sht 2016 | 18:37 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje shpreh shqetësimin e saj në lidhje me vazhdimin e mandatit të Shpend Maxhunit, në krye të Policisë së Kosovës, edhe për 5 vite të tjera.

Vetëvendosje përmes një komunikate për medie konsideron se po bëhet për t’i mundësuar klanit Pronto ta ketë tutje kontrollin total mbi Policinë, në të cilën sipas tyre ka bërë me çdo institucion të shtetit.

“Se Shpend Maxhuni është i kontrolluar nga pushteti, më saktësisht klani Pronto, dëshmojnë më së miri përgjimet ‘Pronto 2’, ku Adem Grabovci tregon vetë për ndikimin e tij të Maxhuni, të cilit i dërgon edhe lista me emra familjarësh e të militantëve partiakë për punësim. Në këtë mënyrë, Shpend Maxhuni ka qenë në shërbim të klanit Pronto sa herë që i është kërkuar të luftohet Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe të shtypen e keqtrajtohen aktivistët e saj. Kjo ka ndodhur jo vetëm në protesta, ku urdhëri i tij me burim te klani Pronto, ka bërë që policia të jetë e dhunshme dhe çnjerëzore në shumë aksione e protesta publike”, thuhet në komunikatë.

VV thotë se i njëjti ka zbatuar urdhëra e klanit Pronto për ta bastisur zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje me 28 nëntor të vitit të kaluar, “ku u tregua dhunë e terror i paparë. Si dhe janë bastisur shtëpitë e aktivistëve, siç është rasti me arrestimin e 6 aktivistëve këtyre ditëve, të cilëve iu mveshen akuza për terrorizëm pa asnjë fakt të vetëm”.

“Përveç këtyre shkeljeve, mandati i kaluar i Maxhunit është përcjellur me skandale të shumta, që nxjerrin një përfundim se integriteti profesional i tij është barabartë me zero, dhe se qëndrimi i tij edhe për pesë vite në krye të Policisë, e ulë edhe më shumë besimin në këtë institucion dhe kredibilitetin e tij”, thuhet më tej.

VV numëron “dështimet” e Maxhunit në krye të Policisë, duke thënë se janë vjedhur 25.3 kilogramë ari në dhomën e dëshmive në Pejë.

“Gjatë mandatit të tij janë poshtëruar policë nga xhandarmëria serbe në Merdarë, në veri të Mitrovicës Policia ka bashkëpunuar dhe ka qenë shpesh në shërbim të MUP-it serb, kurse ‘Rojet e Urës’ kanë vepruar lirshëm. Kurse, policë të Kosovës janë dënuar e përjashtuar nga puna për shkak se kanë arrestuar rojet e Vulinit”.

“Poashtu, në mandatin e tij ai përflitet për tenderë të dhënë në mënyrë të dyshimtë, herë duke iu dhënë mashtruesve të ndryshëm që janë të njohur edhe për policinë, e herë kompanive të afërta me Maxhunin, familjarët e tij ose miqtë nga klani Pronto. Me gjithë këto skandale, është e qartë dhe e kuptueshme se Shpend Maxhuni përveçse nuk duhet ta ketë edhe një mandate në krye të Policisë, ai duhet të jap përgjegjësi për veprimet e tij, si pjesë e zinxhirit kriminal të klanit Pronto. Si ekezkutues i urdhërave të Kadri Veselit e Hashim Thaçit, tash edhe Isa Mustafës, edhe Shpend Maxhuni e ka vendin në burg”, thuhet në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme