VV paraqet 43 zotimet për Prizrenin

Prishtinë | 03 Tet 2017 | 16:35 | Nga

Sot, kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, paraqiti 43 zotimet e Lëvizjes Vetëvendosjes për këtë komunë. Të përpiluara me ekspertizë në bazë të nevojave të qytetarëve, zotimet përfshinë fushat e rigjenerimit urban, turizmit dhe zhvillimit, transparencës së administratës, shërbimeve publike efikase, trashëgimisë kulturore, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

Mytaher Haskuka ka thënë gjatë prezantimit se këto zotime janë të matshme dhe të realizueshme, e se ka për qëllim një zhvillim të qendrueshëm që bazohet në katër përparësi që i ofron Prizreni: turizimi, bujqësia, tregtia dhe prodhimtaria. Qëllimi i dytë i këtyre zotimeve është përmirësimi i gjendjes në arsim dhe në shëndetësi. Qëllimi i tretë që buron nga këto 43 masa është që Prizreni të shndërrohet në një qytet të qasshëm për të gjithë, pa dallim dhe për këtë është paraparë rigjenerimi urban. Administrata transparente dhe sherbimet publike efikase janë një aspekt tjetër që janë të parapara në kuadër të këtyre 43 zotimeve.

Me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, do të realizohohen të gjitha këto zotime, të cilat do ta normalizojnë gjendjen në këtë komunë dhe do t’ia rikthejnë perspektivën qytetit.

43 Zotimet e Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prizrenit:

– Riorganizimi i trafikut në rrethin e parë unazor dhe në Qendrën historike.

-Ridizajnimi i konceptit të trafikut urban me qëllim reduktimin e shfrytëzimit të veturave, transport publik për çdo lagje dhe rajon të Komunës, me kosto të përballueshme.

-Ndërtimi i së paku 300 vendeve të parkingut publik në unazën e brendshme të qytetit.

-Infrastrukturë që u përshtatet personave me nevoja të veçanta.

-Hartimi e publikimi i hartave turistike dhe kalendarit turistik.

-Depolitizimi i sistemit arsimor, punësime me transparencë të plotë dhe me pjesëmarrje të komunitetit gjatë zgjedhjes se drejtorëve të shkollave.

-Ndërtimi i katër çerdheve me kosto të përballueshme.

-Shujtë ushqimore dhe qumësht falas për nxënësit deri ne klasën e 5-të.

-Hapja e laboratorëve të fizikës, kimisë dhe biologjisë, kabinete të muzikës, realizimi i vizitave sistematike mjekësore në shkolla si dhe dollapë për nxënësit në çdo klasë.

-Programimi i orëve plotësuese për nxënës me talente të veçanta dhe orë plotësuese për nxënës që në mënyrë të përsëritur kanë rezultate tepër të ulëta.

-Organizimi i turneve sportive për nxënës të shkollave fillore për identifikim të talenteve dhe mbështetja e këtyre talenteve nga komuna për të vijuar në klube sportive.

-Riorganizimi dhe funksionalizimi i Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, pajisja me mjete, laboratorë funksionalë dhe trajnim i personelit mjekësor.

-Krijimi i shërbimit të rregullt mobil shëndetësor (më së paku dy automjete).

-Krijimi i Qendrës së kujdesit ditor për pensionistë dhe transport publik falas për çdo pensionist.

-Krijimi i punkteve për ushqim dhe veshmbathje për personat në nevojë.

-Përmirësimi i furnizimit me ujë për të gjitha lagjet dhe fshatrat e Komunës.

-Largimi i deponive ilegale dhe rregullimi i ujërave të zeza në deponinë e Landovicës.

-Ndërtimi i kanalizimit për: Kurrillë, Arbanë, Randobravë, Piranë, Malësi të Vrrinit dhe Bajram Curr, Nashec.

-Themelimi i tregut lëvizës për prodhimet vendore.

-Rritje e subvencioneve në bujqësi dhe blegtori.

-Transparencë radikale në çdo proces të punësimit, shpenzimeve dhe prokurimit.

-Modernizim dhe dixhitalizimi i Qendrës për Shërbim të Qytetarëve, krijimi i “One Stop Shop”.

-Zvogëlim i numrit të drejtorive.

-Ndalja e të gjitha ndërtimeve pa leje dhe përfundimi i procesit të legalizimeve.

-Zgjerimi i ndriçimit publik në secilën lagje dhe në secilin fshat, brenda 4 viteve.

-Kthimi i hapësirave publike tek qytetaret dhe lirimi i trotuareve.

-Krijimi i më shumë hapësirave te gjelbra dhe rekreative për çdo lagje dhe fshat.

-Pastrimi i shtratit të lumenjve Drini i Bardhë dhe Lumbardhi.

-Funksionalizimi i ndërtesës së shkollës së parë të mesme në trojet shqiptare “Ruzhdije.”

-Shqyrtimi i hapësirave te reja për funksionalizmin e bibliotekës së re të qytetit.

-Zgjerimi i hapësirave për arkivin e Komunës.

-Renovimi i Stadiumit të Lirisë.

-Themelimi i Këshillit për “Prizrenin në UNESCO”, me synim përmbushjen e kritereve për aplikimin e suksesshëm.

-Implementimi i planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit

-Funksionalizimi i parkut të biznesit në pronat e Komunës.

-Hapja e Qendrës për ndërmarrësi dhe inovacion.

-Inicimi i rregullimit të çështjes pronësore për kinemanë “Lumëbardhi”.

-Fasadimi i shtëpive ne Qendrën Historike te Prizrenit.

-Sinjalizim nëpër rrugë i monumenteve të rëndësishme dhe hoteleve.

-Ndriçimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.

-Studim i fizibilitetin për potencialin turistik te Prizrenit.

-Brendimi i Prizrenit si vend turistik.

-Programi për zhvillim: konsulencë për investimet e Diasporës, konsulencë për zhvillimin e biznesplaneve, për aplikimin në grante ndërkombëtare, bashkëfinancim deri 10% për grante ndërkombëtare dhe subvencionimi i pjesëmarrjes së bizneseve në panaire ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme