Zyra e presidentes: Nuk janë favorizuar OJQ-të e Mitrovicës

Prishtinë | 03 Dhj 2021 | 22:12 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Presidentes së Kosovës ka dërguar edhe në redaksinë e Ekonomia Online një reagim lidhur me publikimin e artikullit të Demokracia.com, “Presidenca ndau afër 200 mijë euro subvencione, Vjosa Osmani favorizoi Mitrovicën (Dokumente)”.

Në “demantin” e Zyrës së Presidentes nuk demantohen në fakt lista e përfituesve, as shumat e ndara, por theksohet se “nga 51 përfitues, qoftë persona fizikë apo OJQ, 33 përfitues janë nga komuna e Prishtinës, 6 janë nga komuna e Mitrovicës”.

“Nuk arrij ta kuptoj se si mund të quhet ky favorizim i Mitrovicës”, theksohet aty.

Reagimi i plotë nga Zyra e Presidentes:

Në mediumin tuaj është publikuar një artikull për ndarjen e subvencioneve nga Presidenca.

Pretendimi juaj është është i pavërtetë. E vërteta është krejtësisht ndryshe, lehtësisht e kuptueshme dhe e qartë dhe me të përmbushet informimi i saktë dhe i drejtë, e jo keqinformimi me tendenca të qarta.

Në listën përfundimtare të Projekt/Program Propozimeve Përfituese për Persona Fizik dhe OJQ, të publikuar më 24.11.2021 (shih: https://president-ksgov.net/repository/docs/2021_11_24_101214_924-3_Lista_perfundimtare_e_perfituesve.pdf), e vërteta është krejtësisht ndryshe nga lajmi i pavërtetë i publikuar.

Në këtë listë përfundimtare nga 51 përfitues qoftë persona fizik apo OJQ, 33 përfitues janë nga komuna e Prishtinës, 6 janë nga komuna e Mitrovicës, nuk arrij ta kuptoj se si mund të quhet ky favorizim i Mitrovicës.

Po kështu, ka përfitues edhe nga komunat tjera si nga Vitia, Vushtrria, Podujeva, Prizreni, Drenasi dhe nga komuna tjera.

Kur transparenca është e plotë, ajo nuk mund të vihet në pikëpyetje as nga tendencat e caktuara nëpërmjet prodhimit të të pavërtetave.​

Të ngjashme