Postblloku gjeografik dhe postblloku digjital i Rrugës së Kombit

Prishtinë | 26 Mar 2018 | 08:12 | Nga

Ka filluar të dielën mbledhja e taksës për automjetet që do të qarkullojnë në Rrugën e Kombit, pasi po këtë ditë është bërë edhe testimi me ngarkesë (automjete) i stacionit digjital të mbledhjes së taksës.

Kuksianët e shqiptarët e Kosovës, por edhe gjithë shqiptarët në përgjithësi i janë gëzuar 8 vjet më parë ndërtimit të autostradës apo, siç e thërrasin ndryshe si Rruga e Kombit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por ky gëzim nuk ka zgjatur as një dekadë dhe sërish ndaj zonës së Kukësit dhe Kosovës është ngritur një “postbllok”, por tashmë jo gjeografik, por digjital.

“Teknologjia e sfidon gjeografinë në kohët e sotme”, pati deklaruar vite më parë publicisti e shkrimtari Veton Surroi, i intervistuar nga mediat në Shqipëri, duke kërkuar njëherësh fillimin e ndërtimit të një autostrade që do të lidhte Kosovën me Shqipërinë, që e konsideronte plotësisht të mundur, pavarësisht terrenit gjeografik të vështirë. Por ai nuk e ka pasur fjalën për teknologjinë digjitale që ka instaluar kompania koncesionare “Salillari&Kastrati” për të mbledhur taksa përdoruesve të rrugës, por për teknologjitë bashkëkohore të ndërtimit të rrugëve që sfidojnë gjeografinë. Dhe ashtu ndodhi.

Mjetet bashkëkohore të ndërtimit të rrugëve bënë të mundur ndërtimin e rrugës Milot-Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morin në një terren tejet të vështirë, por edhe të tunelit të Kalimashit i konsideruar si vepra më e vështirë, por edhe mrekullia inxhinierike e këtij projekti, ku teknologjia triumfoi mbi gjeografinë.

Tetë vjet pas ndërtimit të kësaj autostrade me fonde të buxhetit të shtetit dhe me kredi bankare që janë paguar dhe po paguhen nga shqiptarët, një tjetër taksë do të paguajnë shqiptarët në të dyja anët e kufirit. Por kësaj radhe do të jenë shqiptarët e Kosovës dhe banorët e rajonit të Kukësit që do të mbajnë barrën kryesore të kësaj takse. Ajo është taksa duke filluar nga pesë euro për autovetura, apo 10-15-20 deri në 32 euro për autobusë, kamionë, apo trailerë etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme