Pozita po parapërgatitet për zgjedhje

Prishtinë | 08 Kor 2019 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Derisa partitë opozitare nuk po ndalen së paralajmëruari për rrëzimin e Qeverisë, liderët e partive në pushtet po vazhdojnë të zhvillojnë takime me qytetarë të komunave të ndryshme të Kosovës. Ata nuk po rreshtin së bëri prezantim të aderimeve të reja, së deklaruari se partitë e tyre kanë shënuar rritje të paparë deri më tash e së shprehuri të bindur për triumf në rast zgjedhjesh, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe lideri i Nismës Socialdemokrate javët e fundit kanë vizituar shumë qytete dhe kanë takuar qytetarë të shumtë, ndërsa kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj në kuadër të takimeve dhe të aderimeve të reja është shprehur i bindur se AAK-ja ka shënuar rritjen më të madhe që ka pasur ndonjëherë.

Megjithëkëtë zyrtarë të partive në pushtet thonë se veprimet e tilla nuk kanë të bëjnë me fushatë parazgjedhore. Ndonëse kanë pohuar se janë duke zhvilluar aktivitete për forcimin e subjekteve që përfaqësojnë, janë shprehur të vendosur se nuk do të ketë zgjedhje gjatë këtij viti. Pavarësisht kësaj njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se partitë e koalicionit qeverisës qysh moti kanë nisur të parapërgatiten për zgjedhje të parakohshme. Por për të ardhur deri te rrëzimi i Qeverisë aktuale sipas tyre nevojitet bashkëpunim i opozitës me deputetë të caktuar ose me grupe parlamentare.

“Gara” mes liderëve të PAN-it

Muajt e fundit partnerët e koalicionit qeverisës “kanë garuar” mes vete se kush po takon më shumë qytetarë e kush po sjell më shumë aderime të reja në parti. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, javëve të fundit ka theksuar disa herë radhazi se partia që ai udhëheq do të jetë triumfuese ndaj subjekteve të tjera.

“PDK-ja fiton sepse e mban fjalën, sjell njerëz të rinj, me vizion e qëllim që lidhet me qytetarin, fiton se ka orientim Perëndimin dhe integrimet euroatlantike, se ka përgjegjësi dhe nuk frikohet kur duhet të marrë vendime dhe e di vendimin që duhet ta marrë për interesin e qytetarëve të vet”, ka deklaruar Veseli.

Të ngjashme