Presidenca belge: Do të kërkojmë konsensus në BE, të zbatohen marrëveshjet

Prishtinë | 05 Jan 2024 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Në këtë fillimvit, Spanja ia pasoi udhëheqjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian një shteti përkrahës të Kosovës. Në këta gjashtë muaj, Belgjikës do t’i bie për hise të merret me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian që e dorëzoi dhjetorin e 2022-ës derisa Presidencën e BE-së po e udhëhiqte Republika Çeke. Por, a do ta kthejë Belgjika në shqyrtim kërkesën e Kosovës?

Presidenca belge në një përgjigje për Gazetën Express ka dhënë sinjale pozitive se do të përpiqet që ambicien e Kosovës për t’u bërë vend anëtar i Unionit ta shtyjë përpara, por duke përmendur si kusht dialogun me Serbinë.

“Gjatë kryesimit të saj të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, Belgjika do të përpiqet për konsensus midis shteteve anëtare, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të gjitha vendeve anëtare dhe duke respektuar plotësisht metodologjinë e zgjerimit të BE-së”, ka thënë David Jordens, zëdhënës në Presidencën belge të BE-së.

Ai tha se Belgjika mbështet perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Por, njoftoi se deri më tani s’është ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim – një drojë që e kishin shumë në Kosovë që prej kur kryeministri Kurti dorëzoi dosjen në Pragë.

“Që kur Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në BE gjatë Presidencës Çeke në dhjetor 2022, nuk janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm. Deri më tani, nuk ka mundur të arrihet konsensus në Këshill për t’i kërkuar Komisionit Europian një opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”.

Belgët e bëjnë me dije se Kosova duhet të tregojë sukses në dialogun me Serbinë për të përmbushur synimet e saj për anëtarësim.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës në BE. Për të bërë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në termat afatshkurtër dhe afatgjatë, Kosovës i duhet – njësoj si Serbisë – të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushë angazhimet e marra në marrëveshjet e kaluara”, tha ai.

Belgjika do të kryesojë për të 13-ën herë me radhë me Presidencën e BE-së, por kësaj radhe i ra në kohën kur do të mbahen zgjedhjet në BE mes datave 6-9 qershor.

Qeveria e Belgjikës ka përmendur prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve.

“Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në faqen zyrtare të Presidencës belge.

Të ngjashme