Presidenca tregon për procedurat që duhet të konsumohen për t’i shpallur zgjedhjet në komunat veriore

Prishtinë | 07 Nën 2022 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetarët e katër komunave bashkë me këshilltarët komunalë në veri të Kosovës, kanë dhënë dorëheqje, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. Sipas ligjeve në fuqi, këto komuna Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi duhet të shkojnë në zgjedhje. Lidhur me këtë çështje janë deklaruar nga Presidenca.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se “legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre”

Kupina, tha se Presidentja ndërmerr veprimet e nevojshme duke përfshirë konsultimet me subjektet politike dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Mirëpo, Kupina ka thënë se ende nuk kanë pranuar njoftim zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, tha ai.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, mirëpo të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Të ngjashme