Gjithçka nisi në përvjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke iu drejtuar ushtarëve të Forcës së Armatosur të Kosovës, më 5 mars të këtij viti, kishte bërë me dije se nuk do të rrijë duarkryq lidhur me transformimin e kësaj force.
Nga “Kazerma Adem Jashari”, Thaçi kishte deklaruar se do të veprojë brenda kompetencave kushtetuese dhe se do të marrë veprimet ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në.
Ndryshimet ligjore kanë qenë dera e vetme e hapur, pasi themelimi i ushtrisë s’kishte mundësi ndodhte me ndryshime kushtetuese, për arsye se ato nuk do t’i votonte Lista Serbe.
Thaçi kishte bërë gati gjithçka. Vetëm dy ditë pasi foli, ai ia dorëzoi Kuvendit, nëpërmjet kryetarit Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e FSK-së në forcë me kompetenca mbrojtëse – ushtarake.
Ky projektligj i ishte përcjellë më pas edhe Qeverisë së Kosovës.
Prej rolit të Komandantit Suprem të FSK-së, Thaçi kishte shtuar se s’kishte gjë që e ndal themelimin e Forcave të Armatosura.
Atij ju deshën dy ditë të inicionte gjithçka dhe vetëm një muaj që të zmbrapsej.
Më 7 prill, i kishte kërkuar kryeparlamentarit Veseli përmes një letre që projektligji i propozuar të mos vihej për miratim në Kuvend.
“Unë konsideroj se institucionet tona ende kanë kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjmë edhe një përpjekje të fundit që të sigurojmë përkrahjen e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, kishte thënë Thaçi.
Iniciativën e Thaçit që ushtria të bëhej përmes ndryshimeve të ligjit, e kishin kundërshtuar SHBA-të. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte pohuar se mbështet Kosovën për Forcat e Armatosura, por jo që ato të bëhen me ndryshime ligjore, por kushtetuese.
Kështu që prej pranverës, kjo çështje përveç diskutimeve të shumta që janë bërë, ka ngecur aty. Pra viti 2018 e zë Kosovën pa ushtri të sajën.
Por ushtria nuk qe fronti i vetëm për presidentin.
Ai paraprakisht kishte nisur një iniciativë tjetër. Atë të themelimit të Komisioni për Pajtim dhe të Vërtetën.
Në kuadër të kësaj nisme janë zhvilluar disa takime gjatë vitit 2017, ku të përfshirë kanë qenë përfaqësues të institucioneve të larta, pastaj misionet diplomatike dhe shoqëria civile.
“Brezat e rinj duhet ta dinë se çfarë kanë bërë brezat e mëparshëm. Besimi i ndërsjellë duhet fituar, duke u respektuar interesi i palëve. Iniciativa për takimin konsultativ, vjen pas konsultave që kam pasur me liderë të mëdhenj të pajtimit. Kam takuar shumë shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali dhe egjiptianë për të konsoliduar këtë ide dhe këtë koncept”, kishte thënë ai ditën kur e kishte prezantuar iniciativën.
Gjatë muajit dhjetor, Thaçi ka prezantuar ekipin përgatitor të komisionit, ku pesë persona do të jenë nga shoqëria civile dhe katër të tjerët nga institucionet të cilët do të merren me përgatitjen e themelimit të mekanizmit që quhet Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Derisa ushtria dhe komisioni për pajtim presin punë në vitin 2018, Thaçi 2017-n e përmbyll me disa vizita ta jashtme.
Më parë në drejtim të tij ishin adresuar kritika të ashpra se është president i izoluar dhe jo i dashur për bashkësinë ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2017, Thaçi ka zhvilluar disa takime bilaterale, duke përfshirë atë që jo shumë kohë më parë e bëri në Kanadanë e largët. Ai është pritur edhe në Kroaci, Turqi dhe Maltë.
Kreu i shtetit gjatë vitit që e lamë pas është pritur edhe nga Papa Françesku në Vatikan si dhe ka marrë pjesë nëpër disa konferenca ndërkombëtare. /KlanKosova/