Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë rezolutën e cila do ta kufizonte presidentin Hashim Thaçi që t’i negociojë kufijtë me Serbinë.
Një ditë pas debatit maratonik, i cili rrëshqiti edhe në akuza të ndërsjella, paritë në pushtet dhe opozita nuk kanë arritur të pajtoheshin rreth një dokumenti të përbashkët, shkruan sot Koha Ditore.
Për propozimin e rezolutës së LDK-së votuan 50 deputetë, nga 90 sa ishin të pranishëm në sallë. PDK, AAK dhe Nisma nuk morën pjesë në votim.
Partnerët e koalicionit nuk kanë pranuar që pika e gjashtë të riformulohej, sipas kërkesës së propozuesit të rezolutës. Propozimi ka pasur të bëjë me përmendjen e presidentit në rezolutë.
“Kuvendi i Kosovës rithekson se Kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar janë të pacenueshme, as presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin”, është propozimi të cilin e ka lexuar Hoti.
Por shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kushti i tyre për ta votuar dokumentin është që propozimi gjashtëpikësh të mos ndryshohet.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme dhe vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës ka autoritet dhe kompetencë për të vendosur për këto çështje”, thuhet në pikën e gjashtë.