Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të cilin e përgëzon për arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit me Greqinë. Presidenti amerikan këtë marrëveshje e ka vlerësuar “arritjen më historike në Ballkan që nga Marrëveshja e Dejtonit”.
“Me përpjekjet tuaja dhe të kryeministrin Tsipras keni arritur të siguroni një të ardhme të qëndrueshme dhe me prosperitet, jo vetëm për vendet tuaja, por për të gjithë rajonin. Vendi juaj tani do të zërë vendin që i takon në Aleancën Veri-atlantike si Republika e Maqedonisë së Veriut”, shkruan në letrën e presidentit të SHBA-së.
Trump ka thënë se shpreson se Marrëveshja e Prespës të shërbejë si një frymëzim edhe për vendet e tjera në rajon.
“Marrëveshja thekson të vërtetën thelbësore që me guximin politik dhe aftësinë për tu përqëndruar në përfitimet afatgjate kundrejt rreziqeve në plan afat-shkurtër, udhëheqësit mund të bëjë kompromise të vështira të nevojshme për të drejtuar vendet e tyre në rrugën për një të ardhme më të ndritshme”, shkruan presidenti Trump.
Sipas presidentit të SHBA-së, Maqedonia Veriore është një partner i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Jemi të lumtur që do të ju presim si aleatin tonë të 30-të në NATO, dhe të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perendimor”, thuhet në letrën e presidentit amerkan Donald Trump dërguar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.