Presidenti veproi në bazë të kompetencave, Ushtria tani në dorë të Qeverisë

Prishtinë | 22 Mar 2017 | 09:00 | Nga Albulena Misini

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, thotë se presidenti i vendit është dhe komandanti suprem i FSK-së, andaj ka vepruar plotësisht në përputhje me kompetencat e tij kur e ka iniciuar Projektligjin për transformimin e këtyre forcave në ushtri.

Por, Demolli, në një intervistë për Ekonomia Online, rikujton se ministria që ai drejton e kishte hartuar qysh më 2015 Projektligjin për transformimin e FSK-së në forcë të armatosur. “Dy vjet me radhë, në vitin 2015 dhe në vitin 2016, ia kemi proceduar Qeverisë së Kosovës, mirëpo i njëjti draft ligj nuk është proceduar më tutje”, thotë ministri i FSK-së.

Demolli e pranon se projektligji i përgatitur nga Zyra e Presidenti “nuk është i përkryer”, por beson se ai do të plotësohet.

Sikurse shefi i tij, kryeministri Isa Mustafa, edhe Demolli thotë se është me rëndësi që të krijohet ushtria e Kosovës, por në të njëjtën kohë duhet të ruhet dhe partneriteti me NATO-n dhe ShBA-në. Sikur dihet, këto dyja, kërkojnë që transformimi i FSK-së të bëhet nëpërmes ndryshimeve kushtetuese, për çka duhen dhe votat e deputetëve serbë.

“FSK-ja do të jetë forcë e të gjithëve dhe do të jetë forcë për të gjithë, kështu që është e pritshme dhe e dëshirueshme që në transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të kenë përgjegjësinë e vet të gjithë deputetët e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe të komunitetit serb”, shprehet Demolli.

Ai nuk dëshiron “të prognozojë” se kur mund të dërgohet në Kuvend, projektligji për të cilin, opinionet e veta tashmë i kanë dhënë MFSK dhe dy ministri të tjera. “Çdo gjë, thuajse është e përgatitur, nga ministritë përkatëse dhe procedimi i ligjit në Kuvend tani varet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thekson ministri.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Para disa ditësh, presidenti i vendit mori një nismë për formimin e Ushtrisë përmes Projektligjit. Pse nuk e ka iniciuar Ministria e FSK-së këtë ligj, sikur ndodh rëndom, pra që ministritë përkatëse të hartojnë ligjet e jo Presidenca?

Demolli: Tanimë opinioni kosovar e di që presidenti i vendit ka iniciuar Projektligjin për FSK-në, por duhet ta dini se presidenti i vendit, njëherit është edhe komandanti suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Andaj bazuar në aktet normative, respektivisht në Kushtetutën e Kosovës, si dhe në aktet e tjera normative të Republikës së Kosovës, presidenti ka një të drejtë të tillë, kështu që ai ka vepruar në bazë të kompetencave të tij.
Ndërsa sa i përket asaj se pse nuk kemi vepruar, unë po ua bëj me dije se ne si Ministri e FSK-së, para dy vitesh i kemi hartuar amendamentet kushtetuese, me të cilat do të krijohet baza kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës; si dhe kemi hartuar Projektligjin për transformimin e FSK-së në forcë të armatosur. Dy vjet me radhë, në vitin 2015 dhe në vitin 2016, ia kemi proceduar Qeverisë së Kosovës, mirëpo i njëjti draft ligj nuk është proceduar më tutje për shkak se nuk janë aprovuar apo nuk kanë dalë fare në rend të ditës amendamentet kushtetuese me të cilat do të krijohet baza kushtetuese për ligjin e tillë.

EO: Pse mendoni se u bë “çështje e ngutshme” transformimi i FSK-së, duke pasur dhe mospajtime me aleatët kryesorë, ShBA-në dhe NATO-n; ndërsa vazhdimisht është thënë se ky proces do të bëhet në koordinim.

Demolli: Besoj se e keni përcjellë se presidenti në deklaratat e tij vazhdimisht ka thënë se kemi një koordinim, një bashkë-rëndim të veprimeve tona me aleatët tanë kryesorë; prandaj si e tillë Presidenca ka vlerësuar se bashkë-rendimi është në nivel të duhur, sikurse me partnerët tanë strategjikë dhe miqtë e tjerë perëndimor, po ashtu edhe me Aleancën Veriatlantike – NATO-n; kështu që ka qenë një vendim nga ana e Presidencës të cilën normalisht e kemi përkrahur edhe ne.

EO: A mund ta shpjegoni për qytetarët cili është dallimi në thelb mes transformimit të FSK-së nëpërmes ligjit dhe nëpërmes ndryshimeve kushtetuese. Pse SHBA-ja po këmbëngul për ndryshim të Kushtetutës?

Demolli: Mund të them ka shumëçka që dallon në procedurë sa i përket transformimit përmes amendamentit kushtetues, apo zgjerimit të kompetencave ushtarake përmes projektligjit. Mirëpo esenca qëndron në faktin se transformimi do të bëhej me përgjegjësinë e deputetëve të komunitetit serb, kurse projektligjin do ta votonin, sipas asaj që tash vlerësohet, vetëm deputetët e komunitetit shqiptar dhe të komuniteteve pakicë joserbe. Kështu që kjo është një kërkesë e faktorit ndërkombëtar që të jenë të involvuar edhe deputetët e komunitetit serb, në mënyrë që edhe ata t’i marrin përgjegjësitë.

Tek e fundit, FSK-ja, respektivisht forcat e ardhshme të armatosura të Kosovës do të jenë forca multi-etnike, të cilat do t’i kenë kapacitetet mbrojtëse dhe të cilat do të veprojnë në interesin e të gjithë banorëve të Kosovës, pavarësisht përkatësinë etnike të tyre. FSK-ja do të jetë forcë e të gjithëve dhe do të jetë forcë për të gjithë, kështu që është e pritshme dhe e dëshirueshme që në transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të kenë përgjegjësinë e vet të gjithë deputetët e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe të komunitetit serb

EO: MFSK-ja ka dërguar opinionin e saj rreth projektligjit. A mund të na shpalosni çka përmban ky opinion, në vija të trasha?

Demolli: Në vija të trasha, Departamenti për Çështje Juridike dhe Çështje Ligjore në Ministrinë e FSK-së ka bërë një analizë ligjore dhe në esencë ka konstatuar se ka një opinion pozitiv për draft-ligjin. Ne, si FSK, së bashku më draft-ligjin, tanimë javën e kaluar e kemi proceduar në Qeverinë e Kosovës, dhe i njëjti draft-ligj, së bashku me opinionin dhe me mendimin e deklaratës financiare të Ministrisë së Financave dhe të mendimit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, besoj se shumë shpejt do t`i procedohet Kuvendit të Kosovës.

EO: Ka pasur vlerësime se ligji është “i varfër” në përmbajtje. Cili është vlerësimi juaj?

Demolli: Çdo akt ligjor, çdo projektligj mund t’i ketë mangësitë e veta, sidomos në fazën inicuese apo fillestare, por që më vonë në procedurë e sipër, duke pasur parasysh komisionet e ndryshme, amendamentet e ndryshme edhe deputetët e Kuvendit, të cilët mund të japin kontributin e vet në avancimin e tij, mund të avancohet. Kështu që ne, si Ministri i kemi analizur disa ditë, siç thashë më parë, Departamenti për Procedurë Ligjore i ka dhënë disa vlerësime të veta, dhe besoj se deri në aprovimin e tij ky draft-ligj do të shndërrohet në ligj të qëndrueshëm dhe në një ligj që do të ketë lëshime sa më pak të mundshme. Ne e dimë që nuk ka asnjë ligj apo akt ligjor në botë, i cili është i përkryer.

EO: Kryeministri Mustafa ka thënë se do të formohet ushtria, por kjo do të bëhet në pajtim me ShBA-në dhe NATO-n. Çka do të thotë kjo?

Demolli: Jo vetëm për kryeministrin Mustafa, jo vetëm për LDK-në, jo vetëm për Ministrinë e FSK-së, por për të gjithë popullin e Kosovës është me rëndësi që të krijohet ushtria e Kosovës, por në të njëjtën kohë ta ruajmë edhe partneritetin me NATO-n dhe partneritetin me ShBA-të. Kështu që të gjithë ne që jemi, jo vetëm në politikë, por edhe qytetarët e rëndomtë të Kosovës, janë të interesuar që këto dy procese të shkojnë njëtrajtësisht, që do të thotë të krijohet ushtria e Kosovës, por edhe të ruhet partneriteti me ShBA-të dhe me NATO-n; sepse ne e dimë fort mirë që as ky shtet i Kosovës, as zhvillimet e përgjithshme nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen dhe partneritetin me këta faktorë relevantë ndërkombëtarë.

EO: Kur pritet tash procedimi në Kuvend i Projektligjit?

Demolli: Nuk do të kisha përmendur ndonjë afat, apo një ditë konkrete. Çdo gjë, thuajse është e përgatitur, nga ministritë përkatëse dhe procedimi i ligjit në Kuvend tani varet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme