​Presidentja Osmani e nderon me medalje presidenciale Hasan Arat

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Personaliteti botëror i sportit, Hasan Arat është dekoruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me vlerësim të kontributit të tij të çmuar në sportin ndërkombëtar, si dhe të rolit dhe përkushtimit të tij në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, raporton Ekonomia Online.

Në ceremoninë e dekorimit, e para e shtetit vlerësoi lartë kontributin e Arat në promovimin e sportit të Kosovës.

E Arat ishte  i nderuar me marrjen e medaljes presidenciale.

Aty ai u shpreh se promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e bënë me shumë zell, teksa shton se populli i Kosovës duhet të ndihet krenar me të arriturat në sport si dhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të bëhet pas katër vitesh.

“Sot jemi mbledhur për të shprehur mirënjohjen institucionale të Republikës së Kosovës ndaj një personaliteti të shquar të sportit dhe jetës publike, i cili me vizion, përkushtim dhe integritet ka dhënë një kontribut të çmuar edhe për shtetin tonë. Hasan Arat ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetjen e sportit ndërkombëtar dhe, në veçanti, në përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës”, tha ndër të tjerash Osmani. 

Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakoë 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), e për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.

Të ngjashme