Në hapjen e projektit “Përkrahja e përafrimit përmes arsimit për demokraci dhe të mësuarit të gjuhëve (PPAD)” u diskutua për rëndësinë e shumëgjuhësisë në një vend multietnik, siç është Kosova.
Isabelle Servoz-Gallucci, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, theksoi se komunikimi mes të rinjve të komuniteteve të ndryshme është shumë i paktë, sipas saj, ndonjëherë për arsye gjeografike apo paragjykimeve.
Faktor tjetër, sipas Gallucci-t, është edhe mungesa e implementimit të kornizës ligjorë për të drejtat e gjuhëve të minoriteteve, raporton Ekonomia Online.
“Arsyeja që jemi mbledhur vjen nga gjetjet e raporteve që nxjerrin faktorë që vazhdojnë të kontribuojnë ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Vërehen të rinjtë që janë sa i përket komunikimit, kanë komunikim shumë të paktë, ndonjëherë për arsye gjeografike apo paragjykimeve”.
“Një nga elementet është korniza ligjore e specifikuar për të drejtat e gjuhëve të minoriteteve. Diçka që do përsëritet që sa kohë është mungesa e implementimit të tij, për shkak të arsyeve të ndryshme. Ndër to, mungon vullneti politik”.
Galucci theksoi se edukimi është shtyllë që ndihmon fuqizimin e atyre që margjinalizohen.
“Përmes edukimit e menaxhojmë më mirë diversitetin, i transmetojmë vlerat e ndara që t’i vërejnë ngjashmëritë, por edhe dallimet mes tyre. Përmes edukimit fuqizohen ata që margjinalizohen. Edukimi është shtyllë që të ndërtohet një situatë më e mirë”.
“Kosova është vend multietnik. Projekti ka të bëjë në asistimin në implementimin e ligjit dhe të drejtat e gjuhës, me pluralizmin, me multilingualizmin. Të gjithë qytetarët kanë të drejtat e tyre dhe të gjithë janë të barabartë”.
Arbër Geci, zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se kjo temë e prek multietnitetin dhe multikulturalizmin, raporton EO.
“Ky projekt është brenda kornizave ligjore dhe është temë që prekë një pjesë të Kosovës, që prek multietnitetin dhe multikulturalizmin”.
“MAShT angazhohet dhe përkrah shkollat në nxitjen e afrimit mes komuniteteve të ndryshme përmes arsimit dhe edukimit të gjuhëve të ndryshme. Mësimdhënësit do jenë të gatshëm për të prezantuar metodologji të gjuhëve të ndryshme për të shfaqur diversitet”.
Geci u zotua se Ministria e Arsimit do t’i udhëzojë akterët relevantë të fokusohen në mësimin e gjuhëve të komuniteteve.
“MAShT-i do të udhëzojë të gjithë akterët relevantë që të fokusohen në mësimin e gjuhëve në komunitete dhe mësimit të kulturave dhe angazhimit të tyre qytetar”.
Slaviša Mladenović, komisioner për Gjuhët, nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët, tha se qëllimi i shënimit të kësaj dite është të mësuarit e gjuhëve të tjera, jo vetëm të gjuhës angleze.
“Një nga qëllimet e shënimit të ditës evropiane për gjuhët është të mësuarit e gjuhëve tjera jo vetëm gjuhës angleze. Gjuha ka qenë element që garanton të drejtat e pakicave”.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm. Falënderoj këshillin që e ka identifikuar këtë problem. Shpresoj që pas kësaj do kemi një vetëdije më të madhe për vendin ku jetojmë”.
“Përmes saj duam të tregojmë sa është i rëndësishëm mësimi i gjuhëve në mjedisin tonë dhe kjo të ndodhë përmes edukimit formal”.
Projekti PPAD do të punojë me deri në 10 shkolla fillore dhe të mesme të Kosovës për të nxitur një imazh pozitiv të shumëgjuhësisë lokale dhe rajonale dhe shumëllojshmërisë kulturore si bazë për mësimin e suksesshëm të gjuhëve dhe dialogun ndërkulturor.
Ky projekt i arsimit do të përqendrohet në nxitjen e përafrimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë, duke krijuar mundësi për dialog ndërmjet individëve dhe komuniteteve ndërsa duke zhvilluar besim të ndërsjellë përmes arsimit dhe mësimit të gjuhëve.
Projekti do të zgjasë 24 muaj dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës dhe bashkëfinancohet nga Norvegjia dhe Këshilli i Evropës.