Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se nga janar i vitit të ardhshëm mbledhja e mbeturinave do të paguhet në komuna.
“Ministria e Financave e ka futur në buxhet që ia jep të drejtën Komunës së Prishtinës që t’i mbledhë vetë faturat e mbeturinave”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se do të kenë konsumatorë individualë, ndërsa për konsumatorët komercialë dhe industrialë do të varet prej sasisë së bërllokut që e gjenerojnë, për të cilën do të ketë marrëveshje të veçantë.
“Nuk mund të jetë niveli i faturës i njëjtë për restorant dhe për amvisëri. Më nuk ka rëndësi se kush është drejtor i kompanisë ‘Pastrimi’ sepse ne do t’i paguajmë sipas kontratës dhe punës që e bëjmë”.
“Presim që buxheti prej 4.3 milionë eurove të rritet dhe po ashtu na lejon që t’i përfshijmë plotë lagje dhe fshatra të përfshihen që nuk janë përfshirë më herët”.
Ndërsa ish-nënkryetari i komunës së Prishtinës, deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka theksuar se njëra ndër super-prioriteteve të tyre kryesore është mbledhja dhe deponimi i mbeturinave.
“Tash e katër vite largimi dhe pastrimi i mbeturinave është bërë, por kemi pas një situatë jo të mirë për qytetarët e Prishtinës, sepse ndërmarrja ‘Pastrimi’ ka qenë në kundërshtim me politikat tona, por kemi arritur t’i bëjmë disa hapa përpara, dhe me këtë kemi arritur ta bëjmë një Prishtinë të pastër”.
Në konferencën e sotme për media u fol për një nga prioritetet kryesore të mandatit të radhës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Prishtinës. “Lagjja jonë e pastër”, me 4 Zotime brenda, ka për qëllim ndërtimin e sistemit për pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave në tërë territorin e Komunës.
“Në katër vitet e mandatit tonë të parë, ne kemi pasur situatë jo të mirë me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, për shkak se kompania “Pastrimi” me në krye Feim Salihun ka qenë në kundërshtim me politikat tona dhe nuk ka bashkëpunuar me ne. Megjithatë, në jemi angazhuar maksimalisht që të vendosim rregull në këtë drejtim, me ç’rast janë pastruar qindra deponi ilegale, janë vendosur kontejnerë të rinj në shumë lagje, e të tjera. Në mandatin e ardhshëm, përmes hapave konkretë që do t’i ndërmarrim, Prishtina do të jetë ambient i pastër, në secilën lagje e në secilin fshat”, tha ndër të tjera nënkryetari i Lëvizjes, Dardan Sejdiu.
Nga janari 2018, Komuna mbledh pagesat për mbeturina, jo “Pastrimi”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, prezantoi 4 zotimet e fushës “Lagjja jonë e pastër”, zotime këto që, sipas tij, do të zgjidhin problemin e mbeturinave në kryeqytet.
1. Mbledhja e mbeturinave do të paguhet në Komunë dhe sipas rregullores së re – Komuna e Prishtinës ka arritur që në përputhje me ligjin prej 1 janarit të vitit 2018 të mbledh pagesat për mbledhje të mbeturinave direkt. Pra, qytetarët do të paguajnë mbledhjen e mbeturinave në Komunë e jo në “Pastrim”, dhe me këtë rast Komuna do të ketë mundësinë që qytetin ta ndajë në disa zona dhe mbledhja e mbeturinave do të behet në mënyrë më efikase.
2. Orari dhe Plani i ri Logjistik për mbledhjen e mbeturinave – Gjatë vitit 2018 Komuna do ta bëjë planin aksional dhe planin e ri logjistik për mbledhjen e mbeturinave, planin e vendosjes efikase së kontejnerëve dhe veprimet e tjera që nevojiten për Prishtinë të pastër.
3. Mbeturinat do të mblidhen në të gjitha lagjet – me planin e ri aksional të gjitha lagjet do të përfshihen në mbledhjen e rregullte të mbeturinave. Deri në fund të mandatit nuk do të ketë asnjë lagje që nuk është e përfshirë në orar dhe plan.
4. Do të fillojë ndarja e mbeturinave dhe mbeturinat do të riciklohen – Pas pilotimit të ndarjes së mbeturinave në lagjen
Dardania, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me partnerët/donatorët ndërkombëtar do të organizoj një studim të fizibilitetit për menaxhimin e mbeturinave. Do të analizohen disa opsione për përdorimin e mbeturinave sipas ndarjes që do të bëhet.
“Në këtë formë do ta vendosim në kontroll menaxhimin e mbeturinave brena Komunës sonë. Do t’i mbledhim vetë pagesat, dhe do ta bëjmë planin e ri aksion e logjistik për mbledhje të mbeturinave. Në këtë formë, nuk do të mbetet asnjë lagje e fshat i Prishtinës pa e marrë këtë shërbim nga Komuna. Për më tepër, jemi duke i monitoruar edhe mbledhësit joformal të mbeturinave, që e kryejnë një punë të cilën do duhej ta kryente Komuna, dhe do të mundohemi të gjejmë metoda për formalizimin e punës së tyre”, tha në fund Ahmeti.