Pasditen e së hënës, niveli i ndotjes në Prishtinë ka regjistruar shifrën 104, sipas matjeve të bëra nga Ambasada amerikane.
Një nivel i tillë, konsiderohet i rrezikshëm për kategori të ndjeshme, shkruan sot “Koha Ditore”. Megjithatë, për dallim prej disa javësh më parë kur kryeqyteti kosovar është vërë në krye të listës botërore për nivel të lartë ndotjeje, aktualisht gjendja duket më e pranueshme.
Një grup vullnetarësh ambientalistë kanë nisur matjen e cilësisë së ajrit në pjesë të ndryshme në kryeqytet, dhe nga matjet shihet se ndotja është më prezente në rrugët periferike që lidhen me qendrën e Prishtinës. Monitorimi i ndotjes së ajrit është implementuar prej datës 15 deri 20 shkurt.
Matjet nga vendet publike dhe zyrat në Prishtinë janë krahasuar me Indeksin e Kualitetit të ajrit (AQI), vlera këto të publikuara nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke përdorur pajisjen “LaserEgg” nga kompania “Origins”.