Megjithëse është paralajmëruar që prej shumë vjetësh se Prishtina do ta ketë spitalin e vet, sivjet kjo nuk pritet të ndodhë. Kjo, ngase me buxhetin aktual asnjë cent nuk është paraparë për ndërtimin e tij. Për më tepër, Komuna nuk e ka definuar as lokacionin e ndërtimit të këtij spitali.
Drejtues të Komunës, të cilët më parë arsyetoheshin se ndërtimi i spitalit të Prishtinës varet nga miratimi i Ligjit për kryeqytetin, tani thonë se ai nuk do të mundë të realizohet pa përfundimin e një studimi të fizibilitetit, të cilin e ka marrë përsipër ta realizojë Ministria e Shëndetësisë, shkruan sot Koha Ditore.
E në ministri kanë thënë se ky studim do të fillojë këtë vit, por nuk janë përgjigjur se kur do të përfundojë. Megjithatë, sipas tyre, Ministria është në komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës në lidhje me projektin e ndërtimit të spitalit të qytetit.
Miranda Mullafazlia, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës, ka thënë se planifikimet rreth ndërtimit të spitalit të qytetit do të varen shumë nga gjetjet që do të dalin prej studimit të fizibilitetit.
Sipas saj, para se të ndërtohet spitali i qytetit duhet bërë një studim fizibiliteti, në mënyrë që të shihet se cilat janë shërbimet e kapacitetet e nevojshme që do të jenë pjesë e këtij spitali.