Komuna e Prishtinës ende nuk e ka përcaktuar lokacionin për deponinë e mbeturinave të ngurta, edhe pse për këtë qëllim Ministria e Ambientit ka ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh. Trefishin e kësaj vlere duhet ta financojë Komuna, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nënkryetari i Komunës, Selim Pacolli, i cili e ka nënshkruar fundjavën e shkuar marrëveshjen për donacionin, ka bërë të ditur të martën se Komuna nuk ka mundur të ndajë ende lokacionin për këtë deponi.
Sipas tij, fillimisht ishte caktuar që deponia e materialeve të ngurta të ndërtohej në afërsi të pendës së Liqenit të Badovcit, por pastaj banorët që jetojnë në afërsi të këtij lokaliteti kanë kundërshtuar duke dërguar edhe peticion kundër vendosjes së deponisë aty.
“Kjo i ka ndërruar edhe planet që kishte bërë Komuna, kështu që tani jemi duke diskutuar modalitetet që deponia e materialeve të ngurta të vendoset diku në veriperëndim të Prishtinës”, ka thënë Pacolli.